Avokati i Popullit, letër Tafajt: Leksione në shkolla kundër diskriminimit
Shpresa Mezini
Burime zyrtare në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës sqarojnë për gazetën “Shqip” se nuk është marrë asnjë vendim për përfshirjen e një lënde që parashikon njohuri për komunitetin LGBT. Ata tregojnë se janë në dijeni të shkresës zyrtare të drejtuar në adresë të tyre nga Avokati i Popullit, Igli Totozani, ku kërkohet përfshirja e një lënde të re në programet shkollore dhe kurrikulat akademike, ndërsa mohojnë ta kenë aprovuar këtë propozim. Burime në MASH thonë se kërkesa e Avokatit të Popullit është shqyrtuar, por gjykojnë se një vendim i tillë nuk është i nevojshëm, për sa kohë në vendin tonë ekziston ligji për mbrojtjen nga diskriminimi, nenet e të cilit mbrojnë të drejtat e këtij komuniteti.
“Propozimi i Avokatit të Popullit ka ardhur në ministri disa muaj më parë. Pasi mësuam se ç’shkruhej në të, diskutuam për masat që do të merrnim. Aktualisht nuk e shohim të arsyeshme përfshirjen e një lënde të posaçme për komunitetin LGBT në programet shkollore dhe akademike, megjithatë mbetet për t’u parë vitet e ardhshme. Sivjet, është e pamundur që kërkesa e Avokatit të Popullit të realizohet për shkak se më datë 10 shtator çelet zyrtarisht viti i ri shkollor, për rrjedhojë është e pamundur të përfshihet një lëndë e re në programet shkollore, për shkak se duhet kohë fizike e posaçme”, sqarojnë burimet. Madje, ata dyshojnë se ajo që shkruhej “e zezë në të bardhë” në shkresën zyrtare të Avokatit të Popullit do të mund të vihet në zbatim edhe vitin e ardhshëm shkollor apo akademik.
Letra
Mësohet se disa muaj më parë, Avokati i Popullit, Igli Totozani, i ka dërguar një letër zyrtare ministrit të Arsimit, ku rekomandohet përfshirja në programet shkollore dhe kurrikulat akademike, të një lënde që do të ofrojë si për nxënësit edhe për studentët njohuri mbi komunitetin LGBT. Kjo, sipas avokatit të popullit, me qëllim arsimimin në një mjedis që e eliminon diskriminimin dhe ofron një mjedis të sigurt, pa dhunë, fyerje apo përjashtime.
“Rekomandojmë përfshirjen në kurrikula dhe programe mësimore të njohurive dhe informacioneve për komunitetin LGBT, me qëllim arsimimin në një mjedis të sigurt, pa dhunë, fyerje, përjashtim social apo trajtim çnjerëzor lidhur me orientimin seksual apo me identitetin gjinor. Gjithashtu, rekomandojmë trajnimin e stafit akademik për moslejimin e çdo forme diskriminimi, duke siguruar mbrojtje dhe disiplinë në institucionet arsimore për shkak të përkatësisë së tyre seksuale“, shkruhet në shkresën zyrtare të Avokatit të Popullit, drejtuar ministrit të Arsimit, Myqerem Tafaj. Totozani shpjegon në letër edhe arsyet pse e shkroi atë lidhen me homofobinë që ka shfaqur në shekuj komuniteti ndaj kësaj kategorie personash. “Duke ditur se lesbiket, homoseksualët biseksualët dhe transeksualët kanë qenë në shekuj me radhë dhe vazhdojnë të jenë akoma objekt homofobie, transfobie dhe formave të tjera të intolerancës dhe diskriminimit për shkak të orientimit seksual apo identitetit gjinor. Nevojiten masa specifike për të siguruar gëzimin e plotë të të drejtave të njeriut për këtë kategori njerëzish. Këtu përfshihet edhe e drejta për arsimim pa diskriminim për shkak të orientimit seksual apo identitetit gjinor, sqarohet më tej në letër.
Propozimi – Avokati i popullit i kërkon MASH të përfshijë në shkolla e universitete lëndë për komunitetin LGBT
Përgjigjia – Nuk e shohim të arsyeshëm aprovimin e kësaj kërkese për shkak se ekziston ligji për mbrojtjen nga diskriminimi
Letra – Rekomandojmë përfshirjen në kurrikula dhe programe mësimore të njohurive dhe informacioneve për komunitetin LGBT
Rekomandimi – Rekomandojmë trajnimin e stafit akademik për moslejimin e çdo forme diskriminimi, duke siguruar mbrojtje dhe disiplinë
Shkaku – Totozani shpjegon se arsyeja pse e shkroi letrën lidhet me homofobinë shfaqur në shekuj ndaj kësaj kategorie personash
Shpjegimi – Sivjet është e pamundur që të realizohet pasi shkollat fillojnë më 10 shtator, s’ka kohë fizike të mjaftueshme
Burime zyrtare në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës sqarojnë për gazetën “Shqip” se nuk është marrë asnjë vendim për përfshirjen e një lënde që parashikon njohuri për komunitetin LGBT