Doktoraturat
Publiku dyshon për cilësinë e privatit. Privati: Të dobëtit e lënë përgjysmë
Shpresa Mezini
Debati mes universiteteve publike dhe private, mbi kuotat dhe cilësinë e studimeve të nivelit të tretë, doktoraturës, ka rënë në vesh të Ministrisë së Arsimit. Burime në Ministrinë e Arsimit sqarojnë për gazetën “Shqip” se një nga hapat e parë që do të ndërmerret sivjet, është ulja e numrit të kuotave për studimet e doktoraturave. E megjithatë, kjo deklaratë ka mbetur e pasqaruar mirë, sepse nuk dihet ende nëse reduktimi i numrit të tyre do të prekë vetëm privatin, publikun apo të dyja bashkë. Vendimi zyrtar i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës nuk është zbardhur ende, madje i ka habitur të gjithë. Kjo, sepse as publiku, as privati nuk kërkoi ulje të numrit të kuotave për doktoraturat. Përkundrazi, të dyja janë pro masivizimit të këtij cikli. I vetmi shqetësim që ngrihet nga publiku është cilësia që ofron privati, ndërsa ky i fundit kundërpërgjigjet duke thënë se seleksionimi i më të mirëve bëhet gjatë viteve, duke theksuar se shumë prej atyre që nisin studimet e ciklit të tretë, i lënë ato përgjysmë.
Qëndrimi i MASH, ka nxitur dyshimet e para mes të interesuarve, ku një pjesë mendon se zgjidhja më e mirë do të ishte reduktimi i kuotave për privatin, ndërsa të tjerë në mbrojtje të interesave të tyre mendojnë tërësisht të kundërtën. Reagimi i MASH, vjen fill pas deklaratës së zëvendësrektorit të universitetit të Tiranës, Ervin Demo, i cili hodhi dyshime mbi cilësinë që ofrojnë universitetet private për zhvillimin e doktoraturave. Madje, ai zbuloi se studimet e nivelit të tretë zhvillohen edhe në universitetet private, të cilat nuk janë të licencuara nga MASH-i për t’i pajisur studentët me titullin doktor.
“Kërkojmë të bëhet transparent procesi i zhvillimit të doktoraturave që ofrohen aktualisht në universitetet private. Mbi ç’bazë ofrohen doktoraturat në disa universitete private? Cilat universitete private e kanë licencën për të ofruar doktoraturat, pasi në disa televizione prezantojnë reklama mbi 4 universitete private që propagandojnë për doktoraturat që ofrohen në këto institucione. Pse nuk ka të dhëna për numrin e universiteteve që e kanë këtë drejtë dhe a ka një raport për kriteret që plotësojnë ato për të ofruar këtë mundësi studimi?”. Këto janë pikëpyetjet që ngre zëvendësrektori i Universitetit të Tiranës, Ervin Demo, i cili hedh dyshime për kushtet që plotëson privati në këtë drejtim. Demo tregon se ka informacion se një nga universitetet private në vend ofron 500 kuota për studimet e doktoraturës, në një kohë që kapacitetet e tij janë të pamjaftueshme, pasi stafi është i kufizuar në numër, rreth 50 pedagogë.