Zbulimi
Daut Beu falsifikoi dokumentet në pesë raste, duke përfituar 2.2 milionë lekë
Oficerë të ndryshëm të kredive në banka, duke abuzuar me detyrën, kanë falsifikuar dokumente në emra të qytetarëve të ndryshëm, sikur kanë aplikuar dhe kanë fituar kredi. Megjithatë, këto kredi nuk kanë shkuar asnjëherë në dorën e emrave të regjistruar, por janë përfituar nga vetë oficerët e bankave. Ky alarm u dha rreth një muaj e gjysmë më parë nga gazeta “Shqip”, ndërsa dje ka ardhur goditja e një rasti të tillë në Kavajë. Një oficer kredie është arrestuar nga policia e këtij qyteti, pasi ndaj tij kanë denoncuar pesë persona, në emër të të cilëve kishte miratuar kredi, por i kishte përfituar për vete, duke i lënë debitorë në bankën ku punonte. Policia e Kavajës tha se gjatë operacionit “Kredia False” u ndalua shtetasi Daut Shefqet Beu, 59 vjeç, oficer kredish në një bankë. Kapja dhe ndalimi i tij u bë menjëherë, pasi Prokuroria e Kavajës urdhëroi ekzekutimin e masës së sigurimit “arrest me burg” të dhënë nga Gjykata. Sipas të dhënave nga grupi hetimor, ndaj këtij shtetasi janë filluar pesë procedime penale. Nga grupi hetimor mësohet se ai ka përdorur identitetet e kushërinjve të tij, duke përfituar para në mënyrë abuzive. Më datë 31 maj, ai është denoncuar nga kushëriri i tij A. B., sipas të cilit, Beu, me veprime abuzive dhe duke falsifikuar dokumentet, ka marrë kredi në emër të tij, një shumë prej 500 mijë lekësh. Po në këtë datë ka bërë kallëzim shtetasi H. B., për të njëjtin abuzim. Kallëzimi i tretë është realizuar më 1 qershor, ndërsa dy kallëzimet e fundit janë kryer më 5 qershor. Nga pesë rastet abuzive, oficeri i kredive, ka përfituar rreth 2.2 milionë lekë të reja, ndërkohë që në ngarkim u kishin mbetur personave të tjerë. Gazeta “Shqip” e ngriti këtë problem, pikërisht më 7 qershor të këtij viti, pas disa denoncimeve pranë seksioneve të antikrimit ekonomik të bëra nga qytetarë të ndryshëm, të cilët rezultojnë debitorë në banka. Ata shpreheshin se nuk kishin aplikuar asnjëherë në jetën e tyre për kredi, por çuditërisht rezulton se ata kanë marrë para nga bankat, madje nuk i kanë shlyer ato dhe me vendim gjykate janë debitorë. Ble. Gi.