Avokati i Popullit kërkon ndryshimin e ligjit për trajtimin financiar që propozoi Lulzim Basha
Bledi Gilaj
Dy vjet më parë, Lulzim Basha, kur ishte ministër i Brendshëm dhe kishte planifikuar për të kandiduar për Bashkinë e Tiranës, përgatiti një ligj për t’u ardhur në ndihmë sa më shumë familjeve të policëve të vrarë, të cilët deri në atë kohë, trajtoheshin vetëm me një VKM të vitit 1999. Ai premtoi paga për familjet e të gjithë dëshmorëve, bursa arsimi për fëmijët e tyre, me qëllim për t’u qëndruar sa më pranë atyre. Por, në të vërtetë, e gjitha kjo ishte një mashtrim. Kjo zbulohet vetëm dy vjet pas miratimit të ligjit, pasi Avokati i Popullit ka rekomanduar ndryshimin dhe përmirësimin e ligjit, duke publikuar edhe të gjitha dëmet ekonomike të shkaktuara në kurriz të familjeve të Dëshmorëve të Atdheut. Nga rekomandimi mësohet realiteti i frikshëm, sesi qeveria bie ndesh me Kushtetutën, duke i ndarë policët e vrarë në dy kategori, ata që përfitojnë, pasi janë vrarë pas vitit 1999 dhe ata që nuk përfitojnë, pasi janë vrarë para atij viti.
Ankesat e familjeve
Rekomandimi i Avokatit të Popullit i është drejtuar qeverisë, të cilës i kërkohet ndryshimi i ligjit të propaganduar më shumë se çdo lloj nisme tjetër e asaj kohe nga ish-ministri Basha, sot kryetar i Bashkisë së Tiranës. Sipas tij, në institucion ka bërë ankesë shtetasi Ll. L. Ai shkruan se djali i tij i quajtur A. L. ka qenë polic në Komisariatin e Policisë Kurbin dhe më datën 13.06.1997 është vrarë në krye të detyrës. I ndjeri A. L. është shpallur “Dëshmor i Atdheut” në datën 14.06.1998, ndërkohë që është shpallur “Qytetar Nderi” i qytetit të Laçit në datën 14.06.1999 dhe është dekoruar nga Presidenti i Republikës me “Medaljen e Trimërisë” në datën 14.01.2000. Ankuesi shprehet se është edhe përfaqësues i familjeve të punonjësve të policisë të vrarë dhe të punonjësve të policisë të plagosur në krye apo për shkak të detyrës.
Të nënës, apo të njerkës?!
Edhe pse të gjithë punonjësit e policisë janë vrarë në krye të detyrës dhe janë shpallur dëshmorë, ose janë plagosur për shkak të detyrës, vetëm disa prej tyre përfitojnë, duke të kujtuar më së miri shprehjen popullore “ca të nënës, e ca të njerkës”.
Shqetësimi për të cilin ankuesi është drejtuar tek Avokati i Popullit ka të bëjë me ligjin nr. 10289, datë 17.06.2010 “Për mënyrën e trajtimit ekonomik e financiar dhe dhënie ndihme të menjëhershme familjeve të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe të Policisë së Burgjeve, që humbin jetën në krye apo për shkak të detyrës”. Sipas tij, nga ky ligj nuk përfitojnë familjet e punonjësve të policisë të vrarë gjatë periudhës kohore nga viti 1991 deri në vitin 1998, si dhe punonjësit e policisë të plagosur në detyrë apo për shkak të detyrës gjatë kësaj periudhe kohore. Ankuesi pretendon se mospërfitimi nga ligji i kësaj kategorie përbën shkelje të të drejtave të garantuara nga Kushtetuta dhe aktet ndërkombëtare. Për këto arsye ai kërkon ndërhyrjen e institucionit tonë për të bërë të mundur ndryshimin dhe përmirësimin e këtij ligji.
Studimi nga avokati
Nisur nga disa ankesa të bëra nga bashkëshortet dhe familjarët e punonjësve të policisë të vrarë në krye të detyrës gjatë viteve 1991-1998 dhe që nuk kishin përfituar asnjë të drejtë nga VKM nr.552, datë 27.11.1999 “Për trajtimin ekonomik e financiar të familjeve të punonjësve të policisë, që humbin jetën ose plagosen për shkak të detyrës”, Avokati i Popullit bëri një studim rreth këtij problemi. Nga ky studim u arrit në konkluzionin se, organi që është dëmtuar më shumë gjatë viteve të tranzicionit në vendin tonë është Policia e Shtetit dhe punonjësit e saj.
500 familje viktimash
Sipas statistikave zyrtare të Policisë së Shtetit, që nga viti 1991 deri në vitin 2010, nga radhët e saj janë vrarë në krye apo për shkak të detyrës 241 punonjës dhe janë plagosur 250 të tjerë. Pasojat e këtij fenomeni janë të mëdha dhe prekin, jo vetëm viktimat të cilëve u është marrë jeta padrejtësisht dhe të dëmtuarit si pasojë e plagosjes, por edhe familjarët që kanë qenë në ngarkim të tyre, si bashkëshortet, fëmijët dhe prindërit. Vrasja dhe plagosja e punonjësve të policisë nga elementi kriminal ka pasoja të rënda për shoqërinë tonë, rendin dhe sigurinë publike, të cilën e ka tronditur rëndë herë pas here.
Në vitin 1999 u miratua VKM nr.552, datë 27.11.1999 “Për trajtimin ekonomik e financiar të familjeve të punonjësve të policisë, që humbin jetën ose plagosen për shkak të detyrës”. Mirëpo, ky vendim, megjithëse ishte një hap pozitiv i shtetit për trajtimin e kësaj kategorie, nuk e zgjidhi këtë problem për të gjithë punonjësit e policisë të vrarë apo të plagosur. Sikurse u citua edhe më lart, ai përcakton se pika 1 e tij i shtrin efektet e zbatimit të tij që nga data 01 janar 1999, duke ia mohuar të drejtën e trajtimit financiar, të ndihmës së menjëhershme financiare për çdo person në ngarkim të të vdekurit dhe për ata që janë në ngarkim të të plagosurit, për familjarët e punonjësve të policisë të vrarë ose të plagosur para kësaj date.
Shifrat e frikshme
Nga evidencat e policisë rezultoi se gjatë viteve 1991-1998 janë të evidentuar 135 punonjës policie të vrarë për shkak të detyrës. Këta kanë lënë pas 475 pjesëtarë të familjeve që bashkëjetonin me ta. Për shpërblimin e tyre, sipas vendimit të mësipërm, duheshin 142.500.000 lekë. Ndërsa të plagosur në krye të detyrës, gjatë viteve 1991-1998 janë 140 punonjës policie, të cilët bashkëjetojnë me 469 persona. Sipas përllogaritjeve për shpërblimin e tyre duheshin 70.350.000 lekë. Shuma vetëm për shpërblimin e familjeve të policëve të vrarë dhe të plagosur për shkak të detyrës, gjatë viteve 1991-1998, të cilët kishin plotësuar dokumentacionin përkatës ishte 212.850.000 lekë. Nga evidencat e policisë rezulton se, gjatë viteve 1991-1998 janë edhe 32 punonjës policie të vrarë dhe 104 punonjës policie të plagosur që nuk kishin sjellë dokumentet e nevojshme për përfitimin e shpërblimit. Për këtë kategori ishte llogaritur një parashikim prej 80.00.000 lekësh. Shuma totale për trajtimin e kësaj kategorie personash që nga viti 1991 deri në vitin 1998 ishte 292.850.000 lekë.
Ligji, kopje e VKM-së
Në përfundim të shqyrtimit të këtij problemi nga Avokati i Popullit u arrit në konkluzionin se VKM nr.552, datë 27.11.1999 ishte bërë shkak për shkeljen e të drejtave për trajtim të barabartë të personave të përmendur më sipër. Ai shkelte parimin kushtetues të barazisë së shtetasve para ligjit të garantuar nga neni 18 i Kushtetutës tonë në të cilin parashikohet se: “Të gjithë janë të barabartë para ligjit”.
Për të rivendosur në vend këtë të drejtë të tyre dhe për shkak të rëndësisë që paraqiste kjo çështje, Avokati i Popullit këtë problem e trajtoi edhe në Kuvend gjatë mbajtjes së raportit vjetor. Edhe në Parlament problemi u mirëprit nga deputetët dhe përfaqësues të qeverisë premtuan për zgjidhjen e tij, por përsëri nuk u reflektua me veprime konkrete. Ndjekjen e kësaj çështjeje Avokati i Popullit e bëri për gjashtë vite rresht në qeveri dhe në Kuvend, por megjithëse disa herë u përgatitën projektvendimet përkatëse, ato nuk u miratuan për shkak të mungesës së fondeve.
Rekomandimet
Avokati i Popullit konstaton se ligji nr. 10289, datë 17.06.2010 nuk e ka zgjidhur këtë problem. Përveç faktit të ngritjes së nivelit të aktit normativ për trajtimin e subjekteve përfituese, nga VKM që ishte më parë në ligj, prej tij (ligjit) nuk përfitojnë familjarët e punonjësve të policisë të vrarë në krye apo për shkak të detyrës, si dhe punonjësit e policisë të plagosur gjatë viteve 1991-1998. Pra ky ligj jo vetëm që nuk e ka zgjidhur problemin, por krijon premisa për shkelje të të drejtave të njeriut atë të barazisë së shtetasve para ligjit të garantuar nga neni 18 i Kushtetutës tonë, kështu që është kërkuar ndryshimi urgjent i tij për të barazuar këto familje.
Vendimi
Gratë e policëve të vrarë në Kukës fitojnë gjyqin me qeverinë
Policët e vrarë në Kukës do të shpallen dëshmorë
Gjykata Civile e Tiranës ka vendosur t’u japë të drejtë dy grave të policëve të vrarë në Kukës, Shkëlzen Dobrushi dhe Ramadan Hila dhe ka urdhëruar Komisionin Qendror të Statusit të Dëshmorit t’i shpallë ata “Dëshmorë të Atdheut”. Vendimin e ka dhënë dje në mesditë gjyqtari i Dhomës Civile, Sokol Shehu. Ishin dy bashkëshortet e të ndjerëve që nëpërmjet një padie vunë në lëvizje gjykatën e kryeqytetit, duke kërkuar shfuqizimin e dy vendimeve, në të cilët dy punonjësit e policisë nuk konsideroheshin “Dëshmorë të Atdheut”, pavarësisht se sipas Policisë së Shtetit, vrasja e tyre u konsiderua në krye të detyrës, e po kështu edhe me vendimet e saj, Gjykata e Krimeve të Rënda e dënoi autorin e këtij krimi, për akuzën e vrasjes për shkak të cilësive të veçanta të viktimave. Bëhet fjalë për dy policët e vrarë më 23 mars 2009 në Kukës nga Afrim Hasanaj, sot i dënuar me burgim përjetë. Në atë kohë, familjet e dy policëve morën mesazhe ngushëllimi nga autoritetet më të larta të shtetit, Presidenti i Republikës, Kryetarja e Kuvendit, Kryeministri dhe nga opozita. Por, Komisioni Qendror i Statusit të Dëshmorit të Atdheut pranë Këshillit të Ministrave kishte refuzuar shpalljen e tyre si të tillë në dhjetor të vitit të kaluar. Për këtë shkak, dy bashkëshortet e policëve të vrarë, më 13 prill iu drejtuan Gjykatës së Tiranës. Në padi, ato kërkuan shfuqizimin e vendimit nr. 540 dhe 541, datë 10.12.2011 të palës së paditur. “Kërkohet detyrimi i të paditurit të njohë statusin ‘Dëshmor i Atdheut’ të të ndjerëve Shkëlzen Xhemal Dobrushi dhe Ramadan Sadik Hilaj, të rënë në krye të detyrës si punonjës rendi”, thuhej në objektin e kërkesë-padisë.