Të tjera detaje janë zbardhur në lidhje me hetimet mbi skemën e mashtrimit me firmat piramidale, që u godit nga policia. Mësohet se pre e mashtrimit ka rënë dhe një zyrtare e bashkisë Gramsh, e cila ka investuar para në platformën XUEX

Ajo ka deklaruar se punon pranë Bashkisë Gramsh në rolin punonjëses së Shërbimeve Sociale dhe për herë të parë ka marrë dijeni në muajin mars nga kolegë për këtë skemë, gjatë një dreke me rastin e festës së 8 marsit.

“Gjatë festës kam vënë re dy kolege të miat E. P., dhe J. L., që i vinte një sinjal në telefon dhe po kalonin kohë aty. I pyeta se çfarë po bënin dhe E.P., më ka shpjeguar se ishte bërë pjesë e një platforme të cilën nuk e kuptonte shumë mirë dhe se dy herë në ditë në orare të caktuara duhet të klikonte një pikë jeshile dhe se kjo i gjeneronte para online”, tregon punonjësja e bashkisë Gramsh.

Pas bisedës së bërë te dreka, E.XH thotë se ka hulumtuar në internet, si dhe ka pyetur shokë e miq nëse kishin dijeni për platformën dhe aty ka marrë vesh se kishte persona të tjerë nga Gramshi, të cilët kanë marrë pjesë në të dhe se mënyra e investimit në këto platforma ishte me kriptomonedha.

Ajo vijon të tregojë se një ditë në drekë ka biseduar me kolegen e saj, shtetasen A. D. dhe e ka pyetur nëse kishte informacion për të bërë regjistrimin dhe ajo i është përgjigjur që kishte dëgjuar për platformën, por që nuk e dinte se si funksiononte. Të dyja vendosën që ta provonin për t’u regjistruar në platformë dhe pasi kanë shkarkuar XUEX, kanë ndjekur hapat deri në përfundim të regjistrimit.

“Fillimisht u regjistruar A.D., e më pas unë. Regjistrimin e kemi bërë me dëshirë pa ndonjë ndihmë teknike dhe nuk na ka imponuar apo ftuar person tjetër”, vijon në dëshminë e saj shtetësja E.xh.

Ajo ka treguar se si fillim ka investuar 1000 euro, nga të cilat 3000 euro i ka kaluar në llogarinë në “Binance” dhe ka një shumë tjetër në platforme akoma pa tërhequr, prej rreth 5000 eurosh. Për tërheqjen e parave, ajo ka deklaruar se ka bërë një provë duke i kaluar në bankë ku ka kaluar 100USDT dhe në llogari i kanë kaluar rreth 7600 lekë të reja.

“Pasi kam provuar që funksiononte nuk kam bërë më tërheqje të tjera, por i kam lënë në llogarinë në Binance ku aktualisht ka 3014 USDT. Në lidhje me ftesën e personave të tjerë nuk e di nëse quhet ftesë, por pasi është bërë virale në qytetin e Gramshit dhe gjatë një dreke familjare më ka pyetur bashkëshorti, motra, djali i xhaxhait e kunati se si funksionon dhe ja ka shpjeguar.

Motrën, te cilën e kam të divorcuar, i kam transferuar paratë nga llogaria ime në binance për ta ndihmuar, pasi ka dy fëmijë dhe kam dashur ta ndihmoj, ndërsa të tjerëve u kam çuar linkun për regjistrim por që në asnjë moment nuk e kam ditur që do kishte përfitime pasi persona të tjerë regjistroheshin me linkun që ajo i dërgonte. Arsyeja pse ja kam shpjeguar motrës ka qenë për shkak se si investimi ashtu dhe tërheqja është bërë në mënyrë zyrtare dhe të deklaruar prandaj ka menduar se ishte diçka e ligjshme.”– tregoi ajo.

Policia e Shtetit njoftoi të dielën, më 14 shtator, se ka ndaluar 6 persona dhe ka shpallur në kërkim dy të tjerë, pasi dyshohet se kanë qenë të përfshirë në një skemë mashtrimi piramidal online, duke u marrë qytetarëve shuma të konsiderueshme parash me premtimin për investim. Ndërkohë, vijojnë hetimet për të zbuluar organizatorët e këtyre skemave piramidale.