Gjykata e Apelit ka lënë në arrest me burg Ermes Hoxhallin, i cili akuzohet për mashtrim kompjuterik. Seanca, e cila u monitorua nga përfaqësues të ambasadës amerikane, u zhvillua nën drejtimin e gjyqtarit Genti Dokollari.

Ermes Hoxhalli, një i ri nga Devolli, nuk foli gjatë seancës. Avokati i tij, Saimir Visha, kërkoi të kryhen hetime për të zbuluar se kush qëndron pas mashtrimit. Ai e mbrojti klientin e tij duke theksuar se Hoxhalli është student në vit të parë në art dhe ka dy prindër që jetojnë në fshatrat e Devollit, duke pretenduar se ai nuk kishte mundësi të kishte kryer një mashtrim kaq të madh.

Si u Zbulua Skema e Mashtrimit

Skema e mashtrimit, e cila përfshinte bursa studimi falas për në SHBA, u zbulua gjatë korrikut 2023 dhe kishte fillimet që në shtator të vitit 2022. Ermes Hoxhalli kishte krijuar një identitet të rremë, duke u paraqitur si Klea Rama, mbesa e kryeministrit shqiptar, dhe kishte depërtuar në strukturën e Ministrisë së Arsimit pa u takuar me asnjë zyrtarë.

Në një e-mail të dërguar më 15 shtator 2023, personazhi i rremë kërkonte lejen për të organizuar një projekt të quajtur “Let’s Talk Together About Us 2024,” i cili supozohej të mbështetej nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe të drejtohej nga zyra e DYCD në New York City. Pas këtij e-maili, më 18 shtator 2023, kërkesa u miratua dhe i delegua Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit për zbatim, e cila e komunikoi këtë informacion me Klea Ramën dhe u përfshi në aktivitete në shkolla të ndryshme.

Mirëpo, pas një kërkimi të thjeshtë, rezultoi se ky rrjet nuk mbështeste të rinjtë dhe familjet e tyre nga New York-u. Pjesëmarrësit dhe mësuesit e përfshirë në projekt u mashtruan, duke u bërë pjesë e një programi fiktiv që përfshinte votimin për koordinatorë dhe maturantë.

Policia e Shtetit ka nisur hetime për mësuesen e anglishtes dhe drejtoreshën e shkollës “Qemal Stafa,” dhe ka zbuluar se përfshirja në këtë projekt mashtrues kishte urdhëra nga nivele të larta të Ministrisë së Arsimit. Pas zbulimit të programit mashtrues, Ministria e Arsimit kërkoi ndërprerjen e menjëhershme të projektit më 6 qershor, pasditen e po të njëjtës ditë.