Erjon Hoxha, 21-vjeçari nga Paskuqani i njohur si mashtrues serial dhe i denoncuar prej muajsh nga qytetarë të ndryshëm, është vënë më në fund në pranga nga policia.
Ai u arrestua në flagrancë teksa po përpiqej të merrte një shumë parash nga një 26-vjeçare, të cilën e kishte mashtruar edhe më parë me premtime të rreme dhe identitet të sajuar. Rasti i tij u ndoq në kuadër të operacionit policor të koduar “Strategjia”.

Ai u ka marrë vajzave shuma të ndryshme parash si “borxh”, ka shitur bizhuteritë që iu merrte vajzave dhe ka lënë pa paguar borxhe në disa biznese.
Ndër denoncimet më të rënda është edhe ai nga një pronar hoteli në fshatin turistik Palasë, ku i riu është larguar pa paguar shumën prej 450 eurosh.
Pavarësisht se ishte në kërkim, Hoxha publikonte rregullisht në rrjetet sociale pamje nga një jetë luksoze, mes makinave të shtrenjta, vilave dhe tufave me para, për të cilat nuk dihet ende origjina.
Policia po vijon hetimet për të identifikuar të gjitha rastet e mashtrimeve të mundshme dhe personat e dëmtuar nga aktivitetet e tij.
