Administratori i një agjencie turistike, Ardi Gjuzi 63-vjeç, është arrestuar nga policia e Tiranës, ndërsa procedohet penalisht edhe punonjësja (bashkëshortja e tij) E. Gj., 51 vjeçe. Dyshohet se çifti i bashkëshortëve kanë mashtruar klientët e agjencisë dhe kanë  përfituar rreth 17 000 euro. Hetimet nisën pas kallëzimeve të disa qytetarëve, të cilëve iu kanë marrë shuma parash për rezervimin e biletave të udhëtimit dhe të akomodimit, por nuk i kanë bërë rezervimet

Njoftimi:

DVP Tiranë/ Finalizohet pas disa javësh hetime në drejtimin e Prokurorisë, operacioni policor i koduar “Rezervimi”.

Vihet në pranga administratori i një agjencie turistike dhe procedohet penalisht punonjësja e agjencisë (bashkëshortja e tij), pasi dyshohet se duke mashtruar klientët e agjencisë, kanë përfituar rreth 17 000 euro.

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë, pas administrimit të kallëzimeve të disa qytetarëve, për mashtrim nga një agjenci udhëtimi, kanë kryer disa javë hetime në drejtimin e Prokurorisë dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Rezervimi”.

Si rezultat i operacionit:
-u ndalua shtetasi A. Gj., 63 vjeç, administrator i agjencisë turistike;
-nisi procedimi penal për shtetasen E. Gj., 51 vjeçe (bashkëshortja e shtetasit A. Gj.), punonjëse e agjencisë.

Nga hetimet dyshohet se këta shtetas kanë përfituar rreth 17 000 euro, duke mashtruar klientët e agjencisë, të cilëve iu kanë marrë shuma parash për rezervimin e biletave të udhëtimit dhe të akomodimit, por nuk i kanë bërë rezervimet.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Fshehja e të ardhurave”.