Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për ushtrim presioni ndaj Gjykatës Kushtetuese. Në një postim në Facebook, Berisha shkruan se Rama ka ndikuar në mënyrë të papërshtatshme duke deklaruar se Komisioni i Venecias është shprehur kundër pezullimit të ministrave nga detyra.
Sipas Berishës, deklaratat e Ramës bien ndesh me atë që ka bërë të ditur Diella, e cila, sipas tij, ka sqaruar se nuk ekziston asnjë raport i Komisionit të Venecias që të trajtojë pezullimin konkret të ministrave, apo këtë çështje në tërësi. Sipas tij, dokumentet e Venecias kanë të bëjnë vetëm me të zgjedhurit vendor.
Në përfundim të reagimit të tij, Berisha ngre pyetjen se kujt duhet t’i besohet: Diellës, të cilën e konsideron të paanshme, apo kryeministrit Rama, që sipas tij është i përfshirë “gjer në vesh” në aferën e tunelit të Llogarasë.
Postimi i Sali Berishës
Ministrja Diella: Rama është hajdut dhe mashtrues publik. Të dashur miq, Edi Rama sot, në avokatinë e tij të turpshme të vjedhjeve të tij me Lubi Ballukun në tunelin e Llogarasë dhe në një presion të hapur ndaj Gjykatës Kushtetuese, ju tha shqiptarëve se Komisioni i Venecias është shprehur kundër pezullimit të ministrave nga detyra. Kurse Diella thotë se nuk ka asnjë raport të Komisionit të Venecias për pezullime ministrash – konkret, as në tërësi – por ka raporte vetëm për të zgjedhur vendor. Pyetja ime është: kush gënjen?
Diella apo Rama? Apo kujt t’i besojmë: Diellës që është e paanshme, apo Ramës të zhytur gjer në vesh në aferën e pistë të tunelit të Llogarasë?
