Universiteti i Tiranës 


Mblidhet Senati i UT-së, miratohet zëvendësrektori, propozohen rritje kuotash për pasuniversitar


Lorina Mixha


Senati i Universitetit të Tiranës është mbledhur dje për të diskutuar rreth programeve të studimit, masterave dhe ndryshimeve që duhen bërë para çeljes së vitit të ri akademik. Konkretisht, për këtë vit akademik do të kemi risi, hapje të degëve të reja për specializimet pasuniversitare, ndryshime të programeve në fakultete të caktuara. Po ashtu, dje nga anëtarët e senatit është kërkuar që të ketë një shtim të kuotave të masterave për vitin e ri akademik 2012-2013, ndërkohë që në fillim të mbledhjes është miratuar edhe kandidatura e zëvendësrektorit të ri të Universitetit të Tiranës. Senati i UT-së ka vendosur miratimin e prof. assoc. dr. Ervin Demo, si zv/rektori i Universitetit të Tiranës. Ky vendim u mor me vota unanime nga gjithë anëtarët e Senatit Akademik të UT-së. Zv/rektori Ervin Demo do të mbulojë anën shkencore dhe marrëdhëniet me jashtë në Universitetin e Tiranës.


Programet e reja


Senati i UT-së ka marrë dje vendimin për miratimin e hapjes së programeve të studimit në Fakultetin e Shkencave Natyrore. Konkretisht është aprovuar programi “Master Profesional në Mësuesi për lëndën Biologji” me kohë të pjesshme, në Fakultetin e Infermierisë programet “Master Profesional në Logopedi”, “Master i Shkencave në Logopedi” me kohë të plotë. Po ashtu, dje është marrë vendimin që në Fakultetin e Shkencave Sociale të çelet programi “Bachelor në Filozofi” dhe Master i Shkencave në Filozofi”, me kohë të pjesshme.


Është gjykuar e nevojshme që senati të miratonte edhe ndryshime programesh këtë vit akademik. Dje është marrë vendimi për ndryshim programesh me kohë të plotë në Fakultetin e Histori-Filologjisë “Bachelor Gjuhë-Letërsi”, “Msc në Gjuhësi e sotme”, “Msc në Gjuhësi historike” dhe në programin teorik të doktoraturës në Kërkime Gjuhësore. Janë miratuar ndryshime programesh në Fakultetin e Drejtësisë, në planin mësimor të studimeve të ciklit të dytë; në Institutin e Studimeve Europiane “Msc Legjislacioni dhe Institucionet e BE”, “Msc Politika dhe Qeverisja në Europë”, “Msc Diplomacia dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare”.


Diskutime


Senati i Universitetit të Tiranës, ka bërë dje shqyrtimin dhe miratimin e planit mësimor të gjuhës shqipe për të huajt.


Po ashtu është realizuar shqyrtimi dhe miratimi i propozimeve të kuotave të pranimit në ciklin e dytë të studimeve, me kohë të plotë dhe të pjesshme, për vitin akademik 2012-2013.


Një vendim i marrë nga senati i Universitetit të Tiranës lidhur me sezonin me pagesë, rreth një vit më parë, ka mbetur pa u zbatuar. Sipas legjislacionit në fuqi, Ministria e Arsimit dhe e Shkencës ka kompetencat për të miratuar propozimet e UT-së lidhur me sezonin e provimeve me pagesë. Konkretisht, drafti me propozime për dhënien e provimeve në dy sezone në vit gjendet në MASH dhe ende nuk ka marrë aprovimin e strukturave ministrore. Pritet që sezonet shtesë dhe tarifat për provimet në çdo fakultet të miratohen për vitin e ri akademik.


 


Hapje programesh studimi:


Në Fakultetin e Shkencave Natyrore, “Master Profesional në Mësuesi për lëndën Biologji” me kohë të pjesshme


Në Fakultetin e Infermierisë programet “Master Profesional në Logopedi”, “Master i Shkencave në Logopedi” me kohë të plotë


Në Fakultetin e Shkencave Sociale të çelet programi “Bachelor në Filozofi” dhe Master i Shkencave në Filozofi”, me kohë të pjesshme


 


Ndryshim programesh me kohë të plotë në Fakultetin e Histori-Filologjisë


“Bachelor Gjuhë Letërsi”,


“Msc në Gjuhësi e Sotme”,


“Msc në Gjuhësi Historike” dhe në programin teorik të doktoraturës në Kërkime gjuhësore.


Në Fakultetin e Drejtësisë,


në planin mësimor të studimeve të ciklit të dytë;


Në Institutin e Studimeve Europiane


“Msc Legjislacioni dhe Institucionet e BE”,


“Msc Politika dhe Qeverisja në Europë”,


“Msc Diplomacia dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare”.