Nga 42 mijë kandidatë, 10% janë vlerësuar me dhjeta në të gjitha provimet


Shpresa Mezini


Sipas një bilanci të kryer nga Agjencia Kombëtare e Provimeve për këtë vit, rezulton se nga 42 mijë kandidatë për studentë, rreth 300 kanë arritur të vlerësohen me pikët maksimale, nga të cilët 50 kanë shkëlqyer në testin e matematikës. Duke iu referuar të dhënave, në rang vendi vetëm 10 për qind e maturantëve kanë marrë notën 10 në të gjitha provimet e maturës, ndërsa 5 për qind janë mbetës, në një apo më shumë lëndë.


Numri i mbetësve të këtij viti në krahasim me atë të vitit të kaluar është më i vogël, çka tregon se niveli i njohurive të nxënësve është më i lartë. Kështu, në total numri i maturantëve që nuk mundën të kalonin provimet e Maturës Shtetërore, ata të cilët humbën të drejtën e studimit arrin në rreth 3 mijë persona.


Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, rreth 1 mijë e 300 nxënës ose 4.46 për qind e totalit të kandidatëve që morën pjesë në provimin e parë të detyrueshëm atë të Letërsisë, janë vlerësuar me 4. Numri i maturantëve që nuk janë kualifikuar gjatë provimit të dytë të detyrueshëm, në maturën 2011, atij të matematikës, është 1 mijë e 400. Sipas statistikave të MASH-it, mbetësit kapnin 5.8 për qind të numrit të kandidatëve në total, rreth 2 mijë e 300. Ndërsa sivjet nga 42 mijë maturantë, kandidat për student, 5 për qind janë mbetës ose 2 mijë e 100 persona.


Bazuar në këtë përllogaritje matematikore, diferenca mes mbetësve të maturës 2011 dhe 2012 është rreth 200 nxënës.


Ndonëse të gjithë maturantët janë njohur tashmë me rezultatet e provimeve të maturës, lista e fituesve nuk është publikuar ende. Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Provimeve, Alfons Harizaj, sqaron se afishimi i listës së fituesve në sesionin e parë të maturës do të bëhet pas datës 10 shtator, në sekretaritë përkatëse të fakulteteve.


Kështu, në mes të muajit shtator nxënësit do të mësojnë se në cilën degë kanë fituar për ndjekjen e universitetit. Sipas Harizaj, sesioni i parë i maturës për këtë vit do të përfundojë më datë 15 shtator, afat kohor gjatë të cilës do të bëhet edhe përllogaritja e pikëve. Drejtuesit e Agjencisë Kombëtare të Provimeve pohojnë se tashmë është afishuar në të gjitha shkollat e mesme të vendit, libri i transparencës. Ndërkohë, mësohet se periudha që do të kenë në dispozicion maturantët për të dorëzuar ankesat për llogaritjen e pikëve të bëra nga AKP do të zgjasë deri në fund të muajit gusht.


Vjeshta


Rreth 2 mijë e 100 mbetës do të kenë një mundësi të dytë për t’iu drejtuar universiteteve në vend. Kështu, bazuar në udhëzimin e MASH për sezonin e vjeshtës, nxënësit do t’i shlyejnë detyrimet në datat 7-14 shtator. Testi i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë do të zhvillohet më datë 7 shtator, Matematika në 11 shtator, ndërsa provimet me zgjedhje në 14 shtator.