Matematika, sivjet nivel edhe më i dobët, rreth 5 mijë mbetës. Një vit më parë 3000
Matematika duket se ka qenë një ndër provimet më të vështira të maturantëve për këtë vit. Kjo, pasi në nivel kombëtar, 100 nxënës kanë marrë notën 10, ndërsa 5046 maturantë janë vlerësuar me 4. Sipas burimeve në AKP, krahasuar me 1 vit më parë, niveli i mbetësve në këtë testim është 1% më i lartë. Përkatësisht nga 11% mbetës, që u regjistruan vjet, këtë vit numërohen 12% maturantë ngelës. “Vitin e kaluar në provimin e matematikës morën pjesë 44 mijë maturantë, pra 3000 më shumë se sivjet. Para një viti kishim 11% për qind mbetës, çka do të thotë se pothuajse jemi në të njëjtat nivele”, u shprehën përfaqësuesit e AKP-së, duke theksuar se në total janë 5046 nxënës që kanë marrë notën 4. Pra, pas përpunimit të të dhënave rezulton se 100 maturantë kanë arritur të marrin pikët maksimale në testin e Matematikës, duke grumbulluar 50 pikë. Në total janë 2 për qind e nxënësve që kanë arritur të marrin notën 10, duke pasur mundësinë të mbledhin nga 45-50 pikë. “Në total janë 1.042 maturantë që janë vlerësuar me notën 10; 107 prej tyre kanë notën e shkallëzuar 9.90; 170 e kanë këtë notë 9.80, ndërsa 194 rezultojnë me notë të shkallëzuar 9.70. Po ashtu, 219 nxënës janë vlerësuar me notën 9.60, ndërsa 252 nxënës me notën 9.50”, saktësuan përfaqësues të Agjencisë Kombëtare të Provimeve (AKP). Në provimin e Maturës Shtetërore të matematikës kanë mbetur 10 mijë nxënës, nga 45 mijë maturantë që i janë nënshtruar provimit. Rezultatet përfundimtare kanë treguar se niveli real i nxënësve është i ulët në këtë lëndë. Pothuajse i njëjti tregues paraqitet vit pas viti kur bëhet fjalë për testimin e njohurive në këtë lëndë. Jo më larg se një vit më parë, e pranishme në Komisionin e Medias dhe Arsimit, deputetja e majtë, Ledi Shamku, tha se niveli real i nxënësve, i cili është mbuluar për vite të tëra nga Ministria e Arsimit është i dobët. “Kemi 10 mijë mbetës, kemi rreth 2 mijë nxënës që morën 10 dhe vetëm 250 që morën kuotën maksimale prej 50 pikësh. Ishte një korrigjim shumë i sinqertë. Po ta vëreni, ky rezultat përputhet me atë të testeve ndërkombëtare si Piza”, deklaroi Shamku. Rreth një vit më parë, ajo gjithashtu theksoi se hyrja pa asnjë kriter në Fakultetin e Shkencave Ekzakte ka bërë që sot të kemi mësues të paaftë dhe të punësuar në mënyra klienteliste, ccka për rrjedhojë ndikon negativisht në përgatitjen e brezave të rinj. “Kemi tekste që nuk kuptohen më prej vitesh. Matematika është bërë e palexueshme dhe hermetike. Fakulteti i Shkencave Ekzakte është katandisur në pikë të hallit, që do të thotë se atje nuk shkojnë më të mirët dhe se në vendin tonë nuk ka më mësues me njohuri maksimale për zhvillimin e lëndës. Së treti, sipas saj është mënyra sesi janë punësuar mësuesit deri tani, jo sipas meritokracisë”, theksoi Shamku. Fakte, që pavarësisht tentativës së Ministrisë së Arsimit për të testuar dhe trajnuar mësuesit ka dështuar. Akoma sot, prindërit ankohen se një lëndë specifike si matematika kërkon mësues shumë profesionistë, që në shkolla të caktuara është vështirë t’i gjesh. Ndërkohë, pas rezultateve të provimit të Matematikës, i treti i detyruar pas Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë dhe Anglishtes, pritet që AKP të publikojë edhe rezultatet e provimeve me zgjedhje, notat e vetme që i mungojnë këtij institucioni për të bërë bilancin final të Maturës Shtetërore të vitit shkollor 2015-2016. Mirëpo, ligji i ri për arsimin e lartë ndryshon mënyrën, kushtet dhe kriteret e pranimit në universitet. Mesatarja e shkollës së mesme do të shërbejë si kriteri kryesor për t’u shpallur fitues në universitet. Pranimi në institucionet e arsimit të lartë për të gjitha ciklet e studimit dhe programet profesionale, do të bëhet mbi mesataren dysheme të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave, që është mbi 6 dhe kritereve të tjera të përcaktuara nga vetë universitetet.