Harizaj: Fituesit e parë zbardhen më 13 shtator. Vendet vakante do të shpërndahen


Shpresa Mezini


Agjencia Kombëtare e Provimeve raporton se numri i maturantëve, që kanë aplikuar për të studiuar jashtë kufijve të Shqipërisë është rreth 5000. Kjo vërehet në numrin e formularëve të plotësuar nga të rinjtë, të cilët zgjedhin universitetet europiane, pasi i konsiderojnë ato më cilësorë.


Sipas të dhënave, rezulton se sivjet numri i të rinjve që preferojnë të studiojnë jashtë është më i madh në raport me atë të një viti më parë. Tregues që vë në diskutim, jo vetëm cilësinë e programeve tona akademike, por edhe besueshmërinë e kandidatëve për studentë ndaj institucioneve të larta në vendin tonë.


Kreu i Agjencisë Kombëtare të Provimeve, Alfons Harizaj, sqaron se vendet vakante, që regjistrohen për shkak të largimeve, do të shpërndahen tek ata maturantë të cilët nuk kanë fituar, ata të cilët janë pak më poshtë se kufiri ndarës i fituesve. Kështu, edhe sivjet, njësoj si në përvojat e kaluara, kuotat që do të mbeten të paplotësuara për shkak se disa prej maturantëve fitues zgjedhin të studiojnë jashtë, do të shërbejnë si një mundësi e mirë për humbësit, pra nuk do të “digjen”.


Sipas statistikave të grumbulluara deri më tani, AKP bën me dije se pjesa më e madhe e maturantëve që duan të studiojnë në një nga universitetet europiane, janë nga Tirana, ndërsa pjesa tjetër nga qytete e tjera të mëdha, si Durrësi, Elbasani e Shkodra.


“Ne po raportojmë shifrat që kanë kërkuar me anë të formularit A1 ose A1Z të studiojnë jashtë shtetit. Këta kanë qenë rreth 5 mijë. Një pjesë e tyre nuk aplikojnë me anë të formularit A2 për studime në universitetet tona. Një pjesë aplikojnë edhe në universitetet tona, pavarësisht se kanë bërë aplikime në universitete jashtë. Në rastet kur shpallen fitues dhe nuk dëshirojnë të regjistrohen në shtet, kuotat e tyre konsiderohen si vakante, por qe do të zëvendësohen me një listë të dytë fituesish, theksoi Harizaj.


Ai shtoi se lista e parë që do të publikojë fituesit zyrtarë të procesit të Maturës Shtetërore do të zbardhet në të gjitha fakultetet e vendit më datë 13 shtator. Ndërkohë, sipas udhëzimit të MASH-it, javën e ardhshme pritet të përfundojë edhe zhvillimi i konkurseve në disa universitete, ndërsa më pas do të nisë përllogaritja e pikëve.


“Deri më 13 shtator duhet të dalë lista paraprake e fituesve për universitete. Nga data 14-20 shtator maturantët do të kenë mundësi të regjistrohen në degët ku janë shpallur fitues”, tha Harizaj. Sipas tij, dje ishte afati i fundit për të gjitha ankimimet e maturantëve. “Rreth 500 ankesa kanë mbërritur pranë Agjencisë Kombëtare të Provimeve. Pjesa më e madhe e tyre kanë qenë në lidhje me ngatërresën që është bërë për emrin apo për hedhjen e  rezultateve të maturës shtetërore”, sqaroi kreu i AKP-së.


 


Statistikat – Numri i maturantëve, që kanë aplikuar për të studiuar jashtë kufijve të Shqipërisë është rreth 5000


Vendimi – Vendet vakante, do të shpërndahen tek ata maturantë, të cilët nuk kanë fituar, por ndodhen poshtë kufirit ndarës të fituesve


Fituesit – Lista paraprake e fituesve do të zbardhet në të gjitha universitetet e vendit më datë 13 shtator


Regjistrimet – Nga data 14-20 shtator maturantët do të kenë mundësi të regjistrohen në degët ku janë shpallur fitues”, tha Harizaj.