Rezultatet paraprake, vlerësuesit ngrenë shqetësimin për gabimet drejtshkrimore
Shpresa Mezini
Vijon normalisht puna në 11 qendrat e ngritura nga Ministria e Arsimit për korrigjimin e tezave të letërsisë. 90 vlerësuesit, mësues të shkollave të mesme dhe specialistë të MASH-it, kanë nisur korrigjimin e fletëve të provimit dy ditë pas zhvillimit të testimit, më datë 4 qershor. Ndonëse ende herët, mësohet se deri më tani janë vlerësuar 12 mijë teste, ndërsa kanë mbetur edhe 30 mijë fletë të tjera. Duke iu referuar të dhënave paraprake rezulton se nga testet e korrigjuara, maturantët janë vlerësuar me më pak pikë në punimin e esesë. Ndonëse në testin që përmbante pyetje me alternativa dhe me shtjellim nxënësit janë vlerësuar mesatarisht, dobët dhe pozitivisht, në bazë të përgjigjeve, në ese një pjesë e konsiderueshme e tyre kanë marrë
pak pikë. E megjithatë, kjo nuk është e vetmja pikë e dobët e maturantëve. Vlerësuesit ngrenë shqetësimin për gabimet e shumta drejtshkrimore që vërehen në përgjigjet e të rinjve, të cilat janë të patolerueshme, duke marrë parasysh nivelin e tyre.
Ndryshe nga vitet e kaluara, sivjet drejtori i Agjencisë së Vlerësimit të Nxënësve, Alfons Harizaj, tha se do të bëhen publike hap pas hapi rezultatet e maturantëve, deri në shpalljen përfundimtare të tyre. Kjo sipas tij, për të mbajtur në kontakt të vazhdueshëm si maturantët ashtu edhe prindërit e tyre, të cilët janë në ankth për të mësuar mbi rezultatet e testimeve. E megjithatë Harizaj shton se kjo praktikë e re synon edhe zhvillimin e një procesi transparent për të gjithë. Duke iu referuar udhëzimit të provimeve të maturës shtetërore 2012 mësohet se shpallja e listës së notave në faqen zyrtare të MASH-it, më pas në shkollat përkatëse, do të bëhet disa ditë përpara se të zhvillohet testi i dytë i detyruar, i matematikës.
Vlerësimi
Disa ditë më parë, në kuadër të pretendimeve të maturantëve, se në test ishin përfshirë pyetje për libra që nuk i kanë trajtuar në shkollë, zëvendësministri i Arsimit, Halit Shamata, u kërkoi vlerësuesve t’i referohen vlerësimit subjektiv, jo atij standard.
Kështu, sipas tij, nxënësi do të marrë pikë edhe kur në përgjigjen e dhënë jep një shpjegim që nuk e përmban modeli i përgjigjes, por që komisioni i vlerësimit e gjykon atë si të saktë. Nëpërmjet praktikës së re të vlerësimit synohet që nxënësit të mos i ulen pikë për përgjigjet që mund të mos jenë tekstualisht të ngjashme me përgjigjet që publikoi MASH, por që në thelb prezantojnë të njëjtën ide, ndonëse të formuluar ndryshe. Sipas specialistëve të arsimit, do të merren në konsideratë ato përgjigje që janë logjike dhe që i afrohen më tepër përgjigjes së saktë, jo tekstualisht alternativës që parashikohet te çelësi i përgjigjeve të MASH-it.
Formulari A2
Sivjet, për herë të parë, procedurat për plotësimin e formularit A2 do të bëhen vetëm në mënyrë elektronike. Përfaqësuesit e Agjencisë Kombëtare të Provimeve sqarojnë se maturantët do të kenë mundësi që ta printojnë formularin, të ushtrohen për plotësimin e tij, por varianti i vlefshëm do të jetë vetëm ai që do të plotësohet online. Mësohet se për realizimin e këtij procesi, agjencia u ka dërguar drejtorive arsimore një udhëzim dhe kërkesë mbi nevojat logjistike që ato kanë. Sipas AKP-së për plotësimin online të formularit të preferencave do të vihet në dispozicion një laborator i posaçëm, ndërsa pritet që udhëzimi që do të përcaktojë modalitetet për plotësimin e tij, të bëhet publik në fund të këtij muaji.