Dyshimi – Mbi 12 maturantë, të cilët këmbëngulin se tezat janë ndryshuar, për shkak se janë nxënës të dhjetës, ndërsa në dy provimet e detyruara janë vlerësuar mesatarisht, me 7 ose 8
Shqetësimi – Jam e çuditur, njëkohësisht e shqetësuar për këtë rezultat aspak të vërtetë, pasi përgjigjet e mia janë identike me çelësin e përgjigjeve të publikuar në sajtin e ministrisë së Arsimit
Deklarata – Kam dëgjuar që sivjet për herë të parë NATO do të ofrojë bursa studimi për nxënësit e shkëlqyer. Kjo është arsyeja pse të gjithë ujqërit janë sulur që të përfitojnë fëmijët apo të afërmit e tyre
Vendimi – Specialistët e arsimit sqarojnë se ankesa shërben vetëm për të lexuar testin dhe për të parë vlerësimin, jo për të ndryshuar notën, pasi sipas tyre, ajo është e pakontestueshme
Prindërit: Ndryshim kodesh në favor të mbiemrave të njohur
Shpresa Mezini
Parave të paguara në këmbim të notës në provimet e maturës dhe teknologjisë së avancuar që kanë përdorur nxënësit për të kopjuar i shtohet edhe ndryshimi i bar code-ve. Të paktën kështu pretendojnë mbi 12 maturantë, të cilët këmbëngulin se tezat janë ndryshuar, për shkak se janë nxënës të dhjetës, ndërsa në dy provimet e detyruara janë vlerësuar mesatarisht, me 7 ose 8.
“Është e pamundur të kem marrë 8. Jam nxënëse e dhjetës. E kam përfunduar arsimin e mesëm me mesatare 10.00. Jam e çuditur, njëkohësisht e shqetësuar për këtë rezultat aspak të vërtetë, pasi përgjigjet e mia janë identike me çelësin e përgjigjeve të publikuar në sajtin e Ministrisë së Arsimit”, tha Era Dhimitri, maturante në një nga shkollat e mesme publike të vendit. Shqetësimi i 18-vjeçares nuk është i vetmi. Me Erën bashkohen edhe disa nxënës, prindërit e të cilëve janë të vendosur ta çojnë më tej këtë çështje. Ata janë në ankth për shkak se duke u bazuar në formulën “magjike” të maturës rezulton se mesatarja e viteve të shkollës së mesme ka vetëm 20% të notës, shifër e papërfillshme, pasi testet e maturës merren më shumë në konsideratë për rritjen e pikëve, të cilat janë vendimtare për pranimet në universitete. Dhurata Trebicka, mamaja e një prej maturanteve, që pretendon se teza e saj është ndryshuar bën me dije për gazetën “Shqip” se di përgjigjen e korrupsionit që po bëhet me maturën shtetërore. “Kam dëgjuar që sivjet, për herë të parë, NATO do të ofrojë bursa studimi për nxënësit e shkëlqyer. Kjo është arsyeja pse të gjithë ujqërit janë sulur që të përfitojnë fëmijët apo të afërmit e tyre. Jam e sigurt që numri i identifikimit të vajzës sime është ndërruar me një tezë tjetër, që me siguri mban ndonjë mbiemër të njohur, vetëm e vetëm që të përfitojë një shpërblim të tillë. Nuk shqetësohem aspak që notat rriten artificialisht, por jo të bëhen paturpësi të këtij lloji mbi kurriz të fëmijës tim. Këtë nuk kam për ta lejuar. Kam vendosur të shkoj më tej, deri në gjykatë po të jetë nevoja”, rrëfen zonja Trebicka. Nga ana tjetër, drejtori i arsimit të mesëm në MASH, Ndriçim Mehmeti, e mohon një fakt të tillë. Ai thotë se nuk ka asnjë mundësi për ndryshim të numrave të identifikimit, pasi ky është një element lehtësisht i dallueshëm.
Nga të dhënat e deritanishme, gazeta “Shqip” arriti të vërtetojë që lajmi i mamasë së një prej maturanteve mbi ofrimin e bursave nga NATO është i vërtetë, ndonëse as Ministria e Arsimit as ajo e Brendshme nuk e pohon një fakt të tillë. Mësohet se numri i bursave që do të ofrohen arrin në mbi 15, ndërsa lista me emrat e fituesve duhet dorëzuar brenda datës 20 korrik.
Ankimimi
Përpara zhvillimit të provimeve të Maturës Shtetërore, nxënësit kanë paguar 4 mijë lekë të vjetra në total, për fletët e provimeve, hartimin dhe vlerësimin e tyre. Sqarohet se pagesa është bërë në bankë, nga e cila janë pajisur me mandatin e arkëtimit, që shërben si provë për pagesën e kryer. Kështu, burime për gazetën “Shqip” bëjnë me dije se nxënësit që kanë ankesë lidhur me vlerësimin që u është bërë tezave të tyre, do të kenë të drejtë të ankimohen, vetëm nëse paraqesin këtë mandat arkëtimi. Ankesa duhet bërë në Agjencinë e Vlerësimit të Nxënësve, institucioni përgjegjës për korrigjimin e provimeve brenda 7 ditësh, ndonëse nuk dihet ende data zyrtare që do të çelë këtë proces. Ajo që dihet me siguri është se ankesat do të mund të dërgohen në AVA, pasi të jenë shpallur rezultatet e lëndëve me zgjedhje, provimet e fundit të maturës. Fill pas publikimit të tyre, ata kanë do të kenë të drejtë të dërgojnë ankesën në këtë institucion. Por, specialistët e arsimit sqarojnë se ankesa shërben vetëm për të lexuar testin dhe për të parë vlerësimin, jo për të ndryshuar notën, pasi sipas tyre, ajo është e pakontestueshme, për shkak se vlerësimi ka kaluar në tri duar.
Ndëshkimi
Dy ditë më parë, në një konferencë për shtyp, drejtori i Agjencisë Kombëtare të Provimeve, Alfons Harizaj, pranoi fenomenin e kopjeve të evidentuara gjatë zhvillimit të testeve me zgjedhje, ndërsa theksoi se masat që do të merren, do të jenë të rrepta, por individuale. “Mund të ketë ndodhur dhe ka ndodhur, por këto janë njolla shumë të vogla në krahasim me të gjithë procesin. Penalizimet do të jenë sipas rregullores së Maturës Shtetërore në mënyrë individuale. Do të ketë skualifikim nga provimi për nxënësit ose zbritje të pikëve për pyetjet me zhvillim dhe alternativa. Në asnjë rast nuk do të kemi ndëshkime kolektive”, theksoi Harizaj.