Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, ka bërë sot një apel drejtuar maturantëve, duke i njoftuar ata se ka filluar procesi i plotësimit të formularit A1, përmes të cilit nxënësit do të mund të zgjedhin lëndët për provimet e Maturës Shtetërore të vitit 2026.

Në fjalën e saj, ministrja theksoi se ky është një hap i rëndësishëm për çdo maturant, pasi zgjedhja e lëndëve ka ndikim të drejtpërdrejtë në orientimin e tyre akademik dhe mundësitë për studime të mëtejshme. Ajo u inkurajoi nxënësit të bëjnë zgjedhje të mençura dhe të konsultohen me mësuesit dhe këshilltarët, për të garantuar suksesin në provime dhe për të hapur mundësi për të ardhmen e tyre arsimore.

Gjithashtu u bëri thirrje maturantëve të mos e marrin këtë vendim në mënyrë të nxituar:

“Mendojeni mirë këtë vendim të rëndësishëm, këshillohuni me mësuesit tuaj dhe me prindërit, sepse zgjedhja që bëni sot do t’ju orientojë drejt fazës tjetër të studimeve tuaja,” u shpreh ministrja.

Ministrja informoi gjithashtu se për maturantët e viteve të mëparshme, aplikimi me formularin A1Z do të zhvillohet në datat 10–11 shkurt, ndërsa Drejtoritë Rajonale Arsimore, zyrat arsimore dhe shkollat janë në dispozicion për të ofruar asistencë gjatë gjithë procesit të aplikimit.

“Për ata që nuk janë maturantë të këtij viti, por të viteve të mëparshme, është formulari A1Z, i njohur edhe ky për të gjithë ata që ndjekin procesin. Por mirë është ta kujtojmë që për këtë të dytin, ka vetëm dy data në dispozicion. Kemi postuar dhe kemi bërë të njohur për të gjithë aplikuesit sipas drejtorive rajonale arsimore: Në datën 2,3 dhe 4 në Tiranë, Durrës dhe Fier. Në datën 5,6 dhe 9 në Korçë dhe në Lezhë do të jenë të gjithë në dispozicion për t’ju asistuar, për t’ju ndihmuar, që nga mësuesit, drejtuesit e shkollave, drejtuesit e zyrave arsimore dhe të drejtorive rajonale”, tha Kumbaro.