Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu priti sot një grup maturantësh ekselentë nga gjimnazet e Tiranës, për të diskutuar mbi zhvillimin e Maturës Shtetërore dhe për të ndarë risitë e këtij viti në procesin e provimeve.

E pyetur nga maturantët mbi të ardhmen e formatit të Maturës Shtetërore, Ministrja Manastirliu u shpreh se e ardhmja e testimit të maturës do të shkojë drejt digjitalizimit, pasi po punohet për të garantuar infrastrukturën përmes QSHA si dhe investimet në rrjetin e laboratorëve SMART në të gjithë vendin.

Ministria e Arsimit dhe Sportit ka vendosur që të ketë edhe teste të personalizuara për maturantët të cilët janë me aftësi speciale.

“Testet model, që ne tashmë u bënë dy vite që i japim për nxënësit maturantë që në muajin janar, janë një mundësi shumë e mirë që të familjarizoheni me mënyrën e testit për katër provimet e maturës. Ajo që është e rëndësishme këtë vit është se fondin e pyetjeve e kemi të riorganizuar, sepse edhe mësuesit që janë përfshirë, hartuesit e tezave, i kanë riparë me shumë kujdes.

Nga ana tjetër, sa i përket administratorëve të testimit, do të jenë mësuesit të cilët do të jenë në ambientet e përzgjedhura të testimit dhe do të jenë mbi 140 shkolla si ambiente testimi për provimet e maturës shtetërore. Janë të angazhuar më shumë se 640 vlerësues, pra mësues që do të korrigjojnë testet.

Risi në këtë maturë do të jenë testet e personalizuara për maturantët me aftësi speciale”- tha Manastirliu.