Avokati Spartak Ngjela u shpreh se Sali Berisha nuk e respekton demokracinë, duke përmendur faktin se ishte i vetmi kandidat në garën për kreun e PD-së, pas skualifikimit të Mereme Selës. Në një lidhje live në emisionin “Breaking me Dafina Hysa”, Ngjela deklaroi se maxhoranca aktuale nuk ka kundërshtarë politikë realë, ndërsa theksoi se kreu i opozitës është shpallur non grata nga SHBA dhe BE.

“E vetmja dobësi antiperëndimore dhe antieuropiane, anti-amerikane në Shqipëri është Sali Berisha, i cili është non grata në Amerikë dhe BE. Është non grata për veprimtari anti-amerikane dhe anti-perëndimore. Roli i maxhorancës në procesin e integrimit është shumë i qartë. Unë jam kundërshtar i socialistëve, por nuk kanë bërë ndonjë gabim në lidhje me integrimin. Ai po vazhdon hap pas hapi normalisht.

Unë jam me konstitucionalizmin, me kushtetutshmërinë. Ka shkelur apo jo maxhoranca ndonjë ligj për imunitetin e Ballukut? Jo. Maxhoranca është zgjedhur nga populli shqiptar. Unë jam ligjor. Ajo është një maxhorancë e madhe që për dy vota bëhen me 2/3. Nuk ka kundërshtar. Dobësia është opozita. Maxhoranca nuk ka kundërshtar. Pse s’ka kundërshtar? Shumë e thjeshtë. Kryetari i opozitës është non grata në dy vende.

Fakti që mungon gara në PD është sepse nuk e lë Saliu. Kështu flitet edhe përballë një gjykate. Saliu nuk lë të respektohet demokracia. Cila është demokracia? Që të ketë më shumë se një përfaqësues në garë. Berisha i druhet përballjes”, u shpreh Ngjela.