Ditën e sotme është parashikuar seanca në Gjykatën Kushtetuese për çështjen e zv.kryeministres Belinda Balluku, në lidhje me kërkesën e Kryeministrit dhe Prokurorisë së Posaçme për një zgjidhje mbi mosmarrëveshjen juridike që ka lindur mes institucioneve. Kryeministri Edi Rama ka kërkuar zgjidhjen e çështjes, ndërsa SPAK është në pritje të shqyrtimit të kërkesës së saj të depozituar në Kuvend për autorizimin e arrestimit të zv.kryeministres.

Sipas njoftimeve të fundit, dy prokurorët e çështjes kanë mbërritur tashmë në Gjykatën Kushtetuese, duke treguar se seanca është në fazën e shqyrtimit. Megjithatë, GJKKO ka reaguar zyrtarisht, duke njoftuar se nuk do të dërgojë përfaqësues në seancë. Gjykata ka argumentuar se nuk mund të legjitimohet si palë në gjykimin kushtetues, pasi kërkuesi i çështjes është Kryeministri i Republikës së Shqipërisë.

“Ju informojmë se GJKKO nuk do të marrë pjesë në këtë seancë plenare pasi vlerëson se nuk mund të legjitimohet si palë në gjykimin kushtetues me kërkues Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë.

Në një shtet demokratik të së drejtës, të bazuar në parimin e sundimit të ligjit dhe të ndarjes së pushteteve, një gjykatë nuk mund të thirret dhe as të legjitimohet si palë në një gjykim kushtetues për të bërë parashtrime apo për të mbrojtur një vendim të dhënë prej saj. Pjesëmarrja e GJKKO-së si palë e interesuar në Gjykatën Kushtetuese do të cenonte parimin e ndarjes së pushteteve dhe pavarësinë e brendshme të pushtetit gjyqësor”-thuhet në njoftim.