Kreu i koalicionit “Djathtas për Zhvillim”, Dashamir Shehi, ka njoftuar largimin nga drejtimi i këtij formacioni politik, pas rezultatit zhgënjyes në zgjedhjet e 11 majit, ku koalicioni mori vetëm 5,530 vota në rang kombëtar.

Në një konferencë për shtyp, Shehi pranoi përgjegjësinë për humbjen dhe theksoi se zgjedhjet ishin të deformuara që në themel.

“Këto zgjedhje ishin një farsë mes PD dhe PS. Listat e mbyllura, mungesa e komisionerëve tanë, mosvotimi i diasporës… e gjithë kjo ndikoi në rezultatin final,” u shpreh ai.

Megjithatë, Shehi tha se koalicioni do të vijojë të kërkojë ndryshime të thella në sistemin politik dhe elektoral.

“Ndryshime kushtetuese, rishikim i reformës territoriale dhe reformë zgjedhore këto janë të domosdoshme. Përndryshe, do të vazhdojmë me rezultate të tilla,” theksoi ai.

Duke shpallur dorëheqjen, Shehi shtoi se i hap rrugë të tjerëve për të çuar përpara këtë projekt politik, ndërsa vlerësoi daljen në skenë të partive të reja si një zhvillim pozitiv.

“Gabimet e mia janë të djeshme, prandaj largohem sot. Uroj që partitë e reja të prodhojnë një sinergji politike më të mirë. Vetëm kjo është e mira e këtyre zgjedhjeve,” përfundoi ai.

Me largimin e Shehit, e ardhmja e koalicionit “Djathtas për Zhvillim” mbetet e paqartë, ndërsa vëmendja tashmë pritet të përqendrohet te riformatimi i së djathtës jashtë PD-së.