Ishin strehuar në Irak dhe tashmë do të jetojnë në Shqipëri. Qeveria ka pranuar të strehojë 210


kampi i lirse ne bagdadPas uigurëve, të padëshiruar nga shumica e vendeve të botës, madje të shpallur “non grata” në Kinë, mbërrijnë në Shqipëri muxhahedinët e parë iranianë, të cilët kanë qenë të strehuar në Irak. Një përfaqësues i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Martin Kobler, ka deklaruar se 14 muxhahedinë kanë shkuar në Shqipëri, ku do të strehohen nga shteti, në bazë të një marrëveshje.


Disa javë më parë, qeveria shqiptare tha se do të strehojë 210 muxhahedinë iranianë, një lëvizje që ndoshta nuk i ka pëlqyer vendit të origjinës të këtyre personave. Megjithatë, mësohet se muxhahedinët kanë mbërritur në Tiranë dy net më parë, në Aeroportin e Rinasit dhe janë dërguar në një qendër pritjeje, ku do të qëndrojnë për një afat të pacaktuar, deri në sistemimin e tyre të plotë.


“Qeveria shqiptare ka deklaruar se është e gatshme të ofrojë strehim për 210 muxhahedinë dhe në këtë mënyrë i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së SHBA për strehimin e anëtarëve të grupit MEK, të cilët ndodhen në kampin e ‘Liria’ në Irak”, tha përfaqësuesi i OKB-së.


Ai i referohej një vendimi të qeverisë shqiptare, i bërë publik nga Kryeministri Sali Berisha, më datë 16 mars të këtij viti, pas një takimi me zv.ndihmëssekretaren në Departamentin e Shtetit në SHBA, për Lindjen e Afërt, Barbara Leaf. Madje, në atë takim, ishte i pranishëm edhe një përfaqësues i OKB-së për Irakun, pikërisht Martin Kobler, zyrtari i cili bëri të ditur lajmin e transferimit të muxhahedinëve në Shqipëri.


Organizata e Muxhahedinëve të Popullit Iranian ka deklaruar se jeta e mbi 3000 muxhahedinëve në kampet në Irak ka qenë në rrezik dhe për këtë arsye duhet të largoheshin të gjithë prej andej. Kështu, një nga vendet që ka pranuar të strehojë disa prej tyre është bërë edhe Shqipëria.


Që prej vitit 1979, organizata “Mojahedin-e-Khalq” është konsideruar nga autoritetet e Iranit si një lëvizje që përfaqëson tradhtarët e atdheut. Të strehuar në Irak, anëtarët e saj morën pjesë në krah të Sadam Huseinit në vitet ‘80, gjatë luftës mes Irakut dhe Iranit. Në gjysmën e dytë të viteve ‘90, muxhahedinët e popullit iranian, siç njihen dhe ndryshe, u përfshinë në listën e organizatave terroriste nga Shtetet e Bashkuara. Për shumë vite me radhë, ajo është konsideruar si e tillë edhe nga Bashkimi Europian. Vetëm në 2009, Brukseli, me një vendim të 27 vendeve anëtare, vendosi t’i heqë nga lista e organizatave terroriste dhe në shtator të vitit 2012 një vendim i ngjashëm u mor edhe nga Shtetet e Bashkuara.


Kjo organizatë është ndër themelueset kryesore të Këshillit Kombëtar të rezistencës iraniane, në opozitë me regjimin e presidentit Mahmoud Ahmadinejad.


Që prej vitit 2003, kur në Irak hynë trupat amerikane, mbi 3 mijë anëtarë të organizatës qëndrojnë të strehuar në kampe, nën mbikëqyrjen e forcave amerikane. Afro 400 prej tyre u transferuan vitin e kaluar në një ish-bazë amerikane “Liria”, pranë Bagdadit, ku ata vetë janë ankuar për kushte tepër të rënda të jetesës, ndërsa Organizata e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, UNHCR, u ka njohur atyre statusin e refugjatit.


Tashmë, ata do të transferohen në vende të tjera. Deri më tani janë transferuar në Gjermani dhe prej dy ditësh në Shqipëri. Mësohet se lëvizjet e muxhahedinëve do të bëhen nën masa të larta sigurie, ndërsa tashmë, qeveria shqiptare ka detyrime për akomodimin dhe sigurinë e muxhahedinëve iranianë.