Është konfirmuar rasti i parë për vitin 2026 me infeksion nga Virusi i Nilit Perëndimor (WNV) në Shqipëri. Rasti është evidentuar në qarkun e Korçës gjatë dhjetëditëshit të dytë të muajit gusht.
Ministria e Shëndetësisë ka bërë me dije se Instituti i Shëndetit Publik po monitoron në mënyrë të vazhdueshme situatën dhe ka nisur hetimin epidemiologjik dhe entomologjik të rastit.
Sipas të dhënave të ministrisë, që nga janari i këtij viti janë testuar 30 mostra nga raste të dyshuara për infeksion nga Virusi i Nilit Perëndimor, të gjitha me rezultat negativ përpara konfirmimit të rastit në Korçë.
Autoritetet shëndetësore vijojnë survejancën epidemiologjike te njerëzit dhe monitorimin e situatës në terren, me qëllim identifikimin në kohë të rasteve të tjera të mundshme.
Infeksioni nga Virusi i Nilit Perëndimor është evidentuar edhe në vitet e mëparshme në Shqipëri. Në vitin 2024 u raportuan 107 raste të konfirmuara dhe 50 raste të mundshme, ndërsa gjatë vitit 2025 u regjistruan dy raste të konfirmuara.
Reagimi i plotë:
Gjatë monitorimit sistematik dhe intensiv të infeksionit nga Virusi i Nilit Perëndimor (WNV) në vend, vetëm gjatë dhjetëditëshit të dytë të muajit gusht u evidentua rasti i parë për vitin 2026, në qarkun e Korçës. Që nga fillimi i muajit janar 2026, janë testuar 30 mostra të rasteve të dyshuara për infeksion nga WNV, të cilat kanë rezultuar negative. Rasti i evidentuar, përbën rastin e parë të konfirmuar në Shqipëri për vitin 2026.
ISHP po vijon survejancën epidemiologjike në njerëz, hetimin epidemiologjik dhe entomologjik të rastit të konfirmuar dhe monitorimin e situatës.
Në Shqipëri, infeksioni nga WNV është dokumentuar edhe më parë. Në vitin 2024 janë raportuar 107 raste të konfirmuara dhe 50 raste të mundshme, ndërsa në vitin 2025 janë raportuar 2 raste të konfirmuara.
