Në portin e Durrësit ka mbërritur anija e parë me karburant që prej nisjes së tensioneve dhe luftës në Lindja e Mesme. Anija është ankoruar në zonën portuale të Porto Romano, duke sjellë një sasi prej rreth 100 mijë ton karburant.
Sipas burimeve nga sektori i energjisë dhe logjistikës portuale, kjo ngarkesë konsiderohet një furnizim i rëndësishëm për tregun vendas, në një moment kur zhvillimet gjeopolitike në rajonin e Lindjes së Mesme kanë shtuar pasiguritë në tregjet ndërkombëtare të energjisë.
Anija pritet të nisë menjëherë procedurat e shkarkimit të karburantit në depozitat e zonës së Porto Romanos, një nga pikat kryesore të përpunimit dhe shpërndarjes së hidrokarbureve në vend.
Ekspertët e tregut theksojnë se mbërritja e kësaj sasie karburanti mund të ndihmojë në stabilizimin e furnizimit në tregun vendas në ditët në vijim, ndërsa situata në Lindjen e Mesme vijon të ndiqet me vëmendje për ndikimin që mund të ketë në zinxhirin global të furnizimit me energji.
Autoritetet portuale nuk kanë bërë ende të ditur detaje të tjera lidhur me origjinën e ngarkesës apo kompaninë që operon anijen, ndërsa procesi i shkarkimit pritet të zgjasë disa orë.
