Eric Wendt, i zgjedhuri i presidentit amerikan Donald Trump për të përfaqësuar Shtetet e Bashkuara në Shqipëri, ka mbërritur këtë të premte në Tiranë, duke nisur zyrtarisht misionin e tij të ri diplomatik.
Ish-gjenerali amerikan mbërriti në Aeroportin e Rinasit mesditën e 25 shtatorit, me fluturimin OS573. Sipas gazetarit të Top Channel, Muhamed Veliu, në aeroport ai u prit nga përfaqësues të Ambasadës Amerikane dhe zyrtarë të protokollit shqiptar.
Wendt qëndroi për rreth 20 minuta në terminalin VIP, përpara se të largohej nga aeroporti. Dalja e tij e parë në Shqipëri u filmua nga operatori i Top Channel, Elin Kadillari.
Më pas, automjeti diplomatik me flamurin e Shteteve të Bashkuara u nis drejt kryeqytetit. Ndalesa e parë e ambasadorit ishte selia e Ambasadës Amerikane në Rrugën e Elbasanit.
Wendt vjen në Tiranë pas një periudhe të gjatë pa një ambasador të ri amerikan të akredituar, pas përfundimit të mandatit të Yuri Kim në qershor të vitit 2023.
Gjatë procesit të konfirmimit në Senatin amerikan, ai kishte përcaktuar disa prej çështjeve ku synon të përqendrojë punën e tij në Shqipëri. Mes tyre renditi mbrojtjen e qytetarëve dhe interesave amerikane, bashkëpunimin kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ndërkombëtar, si dhe forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes.
Një tjetër pikë e përmendur prej tij ishte mbështetja për objektivin e rritjes së shpenzimeve shqiptare për mbrojtjen deri në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vitin 2035.
Diplomacia ekonomike dhe zgjerimi i marrëdhënieve tregtare mes dy vendeve pritet të jenë gjithashtu pjesë e agjendës së tij. Wendt ka folur edhe për mënyrën e funksionimit të vetë ambasadës, duke vendosur theksin te personeli dhe ajo që e ka përshkruar si qasje e fokusuar te “faktorët njerëzorë”.
Axhenda e ambasadorit të ri nis menjëherë pas mbërritjes. Të shtunën ai pritet të shkojë në Pallatin e Brigadave për t’i paraqitur letrat kredenciale Presidentit Bajram Begaj.
Sipas burimeve diplomatike të cituara nga Top Channel, ceremonia pritet të pasohet nga një takim mes Begajt dhe Wendt, ku dy zyrtarët do të kenë mundësinë të diskutojnë drejtpërdrejt.
Takimet institucionale pritet të vazhdojnë të hënën në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, ku në axhendë është parashikuar një takim me ministrin Ferit Hoxha.
Ndërkohë, më 2 tetor është planifikuar edhe pritja e prezantimit të ambasadorit të ri, e organizuar nga Ambasada Amerikane në një hotel në qendër të Tiranës.
Vëmendja në këtë aktivitet pritet të jetë edhe te përfaqësimi i politikës shqiptare dhe lista e të ftuarve që do të marrin pjesë në pritjen për diplomatin e ri amerikan.
