Mario Çela, vëllai i Suel Çelës, pritet të mbërrijë mbrëmjen e sotme në aeroportin e Rinasit. Lëvizja e tij vjen në një kohë kur Suel Çela, i arrestuar në Belgjikë në nëntor 2024, vijon të jetë në qendër të hetimeve të SPAK dhe i shpallur në kërkim.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, Suel Çela dyshohet si drejtues i një organizate kriminale të strukturuar, e përfshirë në aktivitete të rënda si vrasje, trafik ndërkombëtar droge, korrupsion dhe pastrim parash. Në dosjen hetimore thuhet se anëtarë me role kyçe kanë qenë të angazhuar në planifikimin dhe realizimin e veprave penale, përfshirë atentate dhe operacione të trafikut të narkotikëve.
Hetimet kanë dokumentuar tentativa për trafikimin e sasive të mëdha të kokainës nga Amerika Latine drejt Evropës. Konkretisht, sipas SPAK, në dhjetor 2020 është tentuar transportimi i rreth 930 kilogramëve kokainë nga Ekuadori drejt Evropës, ndërsa në janar 2021 një tjetër tentativë për 466 kilogramë kokainë nga Ekuadori në Holandë.
Autoritetet shqiptare vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht aktivitetin e dyshuar të organizatës dhe për të identifikuar personat e tjerë të përfshirë.
