I akuzuari i tretë për vrasjen e Liridona Ademaj, Kushtrim Kokalla, djali i dajës së Naim Murselit, është paraqitur të premten para trupit gjykues në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Ai është marrë në pyetje nga avokati i tij mbrojtës, Nderc Dodaj, raporton korrespondentja e Top Channel në Kosovë, Leonita Bajrami. Kokalla ka treguar për takimet që ka pasur me Naim Murselin dhe Granit Plavën, po ashtu të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademaj më 29 nëntor 2023.
Kokalla thotë se në asnjë prej takimeve ku ai ishte prezent nuk është diskutuar për ndonjë plan për kryerjen e vrasjes. Megjithatë, në takimin e dytë që Kokalla, Plava e Murseli janë takuar në një karburant ku Naim Murseli u ka dhënë para Kushtrim Kokallës e Granit Plavës.
“Kur kemi shkuar me Granitin, është që mua më ka dhënë 300 euro. Jemi ulur e mi ka dhënë mua 300 euro për pagesë të kredisë, pasi që unë veç kam marr kredi për Naimin. Ndërsa 500 euro ia ka dhënë Granitit”, deklaroi Kokalla.
Kokalla ka shtuar se kur Murseli i ka dhënë paratë Plavës i ka thënë “kënaqu”.
“Nuk më kujtohet a i ka thënë diçka Graniti Naimit, por Naimi i ka thënë Granitit, ‘knaqu’, ku unë mbeta i shkouar. Graniti në prezencën time nuk ja ka kërkuar, Naimi ja dha vet. Unë mbeta i shokuar”, deklaroi Kokalla.
I akuzuari për vënien të Naim Murselit si organizatori i vrasjes dhe Granit Plavës si ekzekutorit, ka thënë po ashtu se Naim Murseli i ka kërkuar që vetë Kushtrim Kokalla të kryej vrasjen, por që ka refuzuar. Kokalla ka shtuar se ishte në dijeni të problemeve që kanë pasur Murseli me Liridona Ademaj.
“Unë kam qenë në dijeni që kanë probleme, Naimi me tani të ndjerën Liridonën. Por nuk jam i vetmi person që jam në dijeni që kanë probleme”, ka treguar Kokalla.
Ai është pyetur nga kryetarja e trupit gjykues se për çfarë probleme bëhet fjalë, për çka Kokalla tha: “Punë xhelozie, të gjithë i kanë ditë problemet”.
I akuzuari Kushtrim Kokalla është pyetur edhe për takimet në ditën e krimit që kishte pasur me Naim Murselin dhe qëndrimin në një hotel me të.


