Gjykata e Korçës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Kristjan Sterjon, i dyshuar për vrasjen e 20-vjeçarit Joan Zyko, ngjarje e rëndë që tronditi qytetin e Korçës më 8 gusht. Seanca për caktimin e masës së sigurisë u zhvillua këtë të mërkurë në kushte të rrepta sigurie. Prokurorja Artenida Toska kërkoi masën “arrest me burg” për Sterjon, kërkesë që u pranua nga Gjykata e Korçës. Në ambientet përreth gjykatës u vendosën forca të shumta policie për shkak të ndjeshmërisë së lartë të çështjes. Në seancë nuk është paraqitur asnjë familjar, as nga familja e viktimës Joan Zyko dhe as nga familja e autorit të dyshuar.

Joan Zyko, 20 vjeç, u qëllua me armë zjarri pasditen e 8 gushtit në lagjen nr. 14 të Korçës. Sipas të dhënave të bëra publike nga hetimet, mes Zykos dhe Kristjan Sterjos kishte pasur një konflikt të mëparshëm. Në dëshminë e tij para hetuesve, Sterjo ka dhënë versionin e tij për ngjarjen, duke deklaruar se konflikti kishte nisur rreth dy javë më parë. Sipas tij, ditën e ngjarjes pati fillimisht një përplasje fizike mes dy të rinjve, pas së cilës ai u largua dhe shkoi në banesë. Sterjo ka deklaruar se më pas ka marrë një armë zjarri që e kishte fshehur dhe është rikthyer në zonën ku ndodhej Zyko. Sipas dëshmisë së tij, ai e ka ndjekur 20-vjeçarin dhe ka qëlluar me armë në drejtim të tij.