Ish-presidenti dhe njëherazi kreu i PL, Ilir Meta ka firmosur urdhrin për analizimin e rezultatit të zgjedhjeve të 11 majit në çdo qendër votimi në Tiranë, dukë vënë në dyshim punën e numëruesve të PD-së.

Meta, i cili ndodhet prej muajsh në burg, kërkon hetim pasi mbeti jashtë Kuvendit, ndërsa nuk lë pa falënderuar mbështetësit.

“Të dashur anëtarë dhe simpatizantë të Partisë së Lirisë, Firmosa sot urdhrin për analizimin e rezultatit të zgjedhjeve të 11 Majit për çdo Njësi dhe Qendër Votimi në Qarkun Tiranë për të verifikuar punën dhe rolin e gjithsecilit.

Edhe njëherë faleminderit me mirënjohje të gjithë atyre, të cilët i rezistuan presioneve të jashtëzakonshme të Narkoshtetit dhe nuk e shitën as lirinë, as shpirtin dhe as karakterin e tyre përballë një makinerie kriminale shtetërore, që cënoi rëndë standardet e zgjedhjeve, demokracinë dhe shtetin e së drejtës, duke vijuar me vendosmëri, qëndresë e kurajë t’i prijnë betejës tonë të përbashkët në mbrojtje të kauzave madhore.”, shprehet Meta.