Për të luftuar papastërtinë dhe ndotjen e mjedisit, Bashkia e Lezhës ka vendosur të ndryshojë rregullat për menaxhimin e mbetjeve, duke përcaktuar orare të detyrueshme për hedhjen e tyre.
Sipas vendimit të ri, bizneset duhet të depozitojnë mbeturinat nga ora 20:00 deri në 23:00, ndërsa qytetarët vetëm në fashën orare 19:00-21:00. Çdo shkelje e këtij rregulli do të ndëshkohet me gjoba nga Policia Bashkiake.
Drejtori i Shërbimeve në Bashkinë e Lezhës, Jurgen Marku, bëri të ditur se në disa zona problematike janë vendosur kamera sigurie, të cilat kanë evidentuar raste kur biznese hedhin mbeturina jo vetëm jashtë orarit të përcaktuar, por edhe në tokë, pavarësisht se koshat janë bosh.
