Vietnam


Pekini akuzon fqinjin e vet se po lejon qëllimisht sulmet mbi fabrikat e saj


vietnami protestat antikinezeMbi 20 vetë raportohet se kanë vdekur në Vietnam gjatë protestave të vendësve kundër Kinës, ndërsa një kombinat i stërmadh çeliku nën pronësi të huaj mori flakë. Një mjek vendës raportoi për median ndërkombëtare se 5 punëtorë kinezë dhe 16 të tjerë të përshkruar si kinezë, u vranë gjatë përleshjeve të së mërkurës në mbrëmje. Protestat u shkaktuan nga mosmarrëveshjet e Vietnamit me Kinën për të drejtat territoriale mbi Detin e Kinës së Jugut. Vietnami është përleshur edhe në të shkuarën në tokë dhe në det me ushtrinë e Kinës dhe duket i pafuqishëm për t’u përballur me ushtri konvencionale me fqinjin e vet shumë më të madh.


“Pati rreth 100 persona që u dërguan në spital natën e kaluar. Shumë prej tyre ishin kinezë. Shumë të tjerë u dërguan në spital këtë mëngjes”, – tha mjeku me telefon për agjencinë “Reuters”.


Vietnami zyrtarisht konfirmoi një të vdekur në përleshje dhe i cilësoi raportimet mediatike për më shumë viktima si të “pabaza”.


Kina raportoi se të paktën 2 nënshtetas së saj u vranë dhe mbi 100 të tjerë u plagosën.


Nuk është e qartë nëse Vietnami qëllimisht lejoi protestuesit të organizohen në mënyra të tilla të dhunshme. Disa kompani ndërkombëtare kanë ndaluar prodhimin e mallrave në Vietnam si pasojë e trazirave. Kompania tajvaneze, që ka nën pronësi projektin për kombinat çeliku ku ndodhën përleshjet, tha se ato u shkaktuan nga grindjet mes punëtorëve vietnamezë dhe atyre kinezë.


Kombinati, i cili është në ndërtim, pritet të bëhet më i madhi në prodhimin e çelikut në Azinë Juglindore kur të përfundojë më 2017. Parku industrial ku gjendet ky kombinat vlerësohet se do të kushtojë më shumë se 20 miliardë dollarë. Zona të tilla industriale janë çelësi i ekonomisë së Vietnamit. Në këtë vend ka 190 parqe industriale ku punësohen 2.1 milionë njerëz. Prodhimi i tyre realizon 38 miliardë dollarë eksporte në vit.


Protestat antikineze shpërthyen në një park industrial në jug të Vietnamit të martën, pasi protestuesit u zemëruan nga vendimi i Pekinit për të krijuar një platformë për shpim nafte në një zonë të Detit të Kinës së Jugut që pretendohet nga Hanoi. Por një pjesë të dhunës e kanë vuajtur kompanitë tajvaneze, të cilat raportohen se janë shënjestruar gabimisht nga protestuesit si kompani kineze.


Pekini akuzoi Vietnamin se ka mbyllur sytë përballë dhunuesve. Megjithëse dy fqinjët komunistë kanë lidhje të ngushta ekonomike dhe politike, vietnamezët kanë armiqësi të vjetër me Kinën.