Situata hidrologjike në territorin e Bashkisë Shkodër paraqitet e qëndrueshme dhe nën monitorim të vazhdueshëm, me nivele uji nën kuotat kritike dhe pa banesa me prezencë uji në brendësi të tyre.
Sipërfaqja totale e tokës bujqësore me prani uji vlerësohet rreth 525 ha, e shpërndarë sipas njësive administrative si më poshtë: Dajç rreth 110 ha, Velipojë rreth 265 ha dhe Ana e Malit rreth 150 ha. Prania e ujit është e kufizuar në sipërfaqe të hapura bujqësore. Në Obot, uji është prezent vetëm në afërsi të oborreve, pa depërtim në banesa, teksa qarkullimi është i garantuar dhe realizohet me mjete të Ushtrisë.
Situata e lumenjve mbetet e kontrolluar. Niveli i Bunës në Dajç është 6.58 m. Në Urën e Vjetër të Bunës, niveli i ujit është 8.50 m, rreth 1.00 m nën kuotën kritike (9.50 m). Në Urën e Bahçallëkut, lumi Drin paraqitet në kuotën 8.20 m, rreth 1.80 m nën kuotën kritike (10.00 m).
Hidrovoret po punojnë në kapacitet të plotë dhe pa ndërprerje, duke mbajtur nivelet e ujit në kuota të sigurta. Furnizimi me energji elektrike është normal. Argjinaturat, kanalet kulluese dhe shkarkuesat e Digës së Rezervuarit të Shkodrës nuk paraqesin problematika apo rrezik për përmbytje. Monitorimi në terren vijon pa ndërprerje nga strukturat përgjegjëse.




