Ka dalë pas më shumë se një ore nga Prokuroria e Posaçme ish-kryebashkiaku i Shkodrës, Bardh Spahia. Në një deklaratë për mediat ai u shpreh se thirrja e tij në SPAK nuk ka lidhje me rast korrupsioni e as me krimin.
“Isha për një deklaratë për një çështje që nuk ka asnjë interes publik. Nuk ka lidhje as me korrupsionin, as me krimin”, tha Spahia në dalje.
Kjo është hera e dytë që Bardh Spahia paraqitet në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, teksa më herët, ai shkoi në SPAK edhe mëngjesin e 2 Tetorit, ku qëndroi brenda godinës për 30 minuta. Edhe në atë kohë, Spahia nuk ka treguar përse u thirr në SPAK.
Kujtojmë se më 26 Mars të këtij viti Spahia u kallëzua në SPAK bashkë me 21 kryebashkiakë të tjerë, për “shpërdorim detyre” në fushatën elektorale të 14 Majit. Megjithatë, nuk dihet nëse ish-zyrtari i lartë vendor është thirrur në lidhje me këtë denoncim.





