Për më shumë se tre orë Lorena Goxhobelli, Drejtoreshë e përgjithshme e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës ka raportuar përpara Grupit Parlamentar Socialist dhe ministrave.

Më pas i është përgjigjur shqetësime të deputetëve. Fillimisht drejtoresha Goxhobelli ka bërë një panoramë të përgjithshme për çfarë është bërë 2025 dhe më pas e detajuar për çdo qark.

Ajo ka deklaruar se “2025 ka sjellë përparim të dukshëm në dy drejtimet kryesore: digjitalizimin e kadastrës dhe regjistrimin fillestar të pronave. Këto janë edhe detyrime të përcaktuara në agjendën e reformave dhe pikat e ndërmjetme”.

“Sipas raportimit, tashmë janë digjitalizuar rreth 90% e kartelave të pronësisë dhe është përfunduar skanimi i rreth 54 milionë faqeve dokumentacion, ndërsa puna vijon për krijimin e plotë të kadastrës digjitale brenda vitit 2026 edhe me digjitalizimin e hartave që po kryhet me mbështetjen financiare të BE dhe atë teknik të UNOPS”, ka deklaruar Goxhobelli.

Një tjetër zhvillim i rëndësishëm sipas saj lidhet me regjistrimin fillestar, ku u theksua se objektivi i përcaktuar për qershor 2026 pritet jo vetëm të arrihet, por edhe të tejkalohet, duke çuar territorin e regjistruar në rreth 96.5%.

“Objekti është që brenda 2027 të kemi një regjistër të plotë të titujve të pronësisë në të gjithë territorin”, ka deklaruar Lorena Goxhobelli.

Po ashtu, ka nënvizuar se rritja e volumit të shërbimeve për qytetarët, me 2.5 milionë shërbime të ofruara gjatë vitit 2025, si edhe zgjerimi i shërbimeve të automatizuara, si pjesë e përpjekjes për më shumë shpejtësi, transparencë dhe më pak burokraci.