Vendimi
Akuza nuk hetoi siç duhet tri kallëzime për pretendimin e 6 mijë metrave katrorë
Vendimi – Nga aktet e administruara në fashikullin e këtij procedimi penal rezultoi e provuar se Prokuroria e Tiranës nuk ka kryer një hetim të plotë, të gjithanshëm e objektiv
Nga hetimi gjyqësor rezultoi se në prokurori është paraqitur një kallëzim penal ndaj regjistruesit të zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme, Tiranë, shtetasit Fetah Hasanaj dhe shtetasit I.Sh., duke i akuzuar për “falsifikim të dokumenteve” dhe “mashtrimit”. Nga hetimi gjyqësor rezulton se kallëzuesi Xhelal P. është pronar i pasurisë së llojit tokë arë me sipërfaqe 3590 m2, si dhe i pasurisë me sipërfaqe 2394 m2.
Prejardhja e pasurisë është Ligji 7501 dhe ajo fillimisht është dhënë si tokë në përdorim. Më pas, në vitin 1994 është kaluar në pronësi. Pasuria në fjalë është poseduar nga kallëzuesi dhe familjarët e tij për 20 vjet. Në vitin 2010, Xhelal P. është vënë në dijeni të një lejeje ndërtimi të dhënë nga Komuna Kashar në favor të investitorit I.Sh, për ndërtimin e një objekti dykatësh mbi pasurinë në fjalë. Sipas kallëzuesit, pasurinë I.Sh e ka blerë nga familja Shtëpani. Këta të fundit, gjithnjë sipas pretendimit të kallëzuesve, kanë falsifikuar hartat (HTR) që shoqërojnë kontratat e shitjes, në bashkëpunim me punonjës të ZVRRPP Tiranë dhe të Komunës Kashar, duke bërë që pasuria të mbivendoset me pasurinë e kallëzuesit. Por, pas kallëzimit, çështja është pushuar. Kallëzuesi i është drejtuar gjykatës dhe kërkon rihetimin e kësaj çështjeje, me arsyetimin se duhet të thirrej për të dëshmuar. Kallëzuesi pretendon se nuk është bërë asnjë verifikim, ekspertim apo ballafaqim i akteve objekt kallëzimi, madje nuk është bërë asnjë ballafaqim i veprave të kallëzuara në disa kallëzime nga kallëzuesit.
Në rastin konkret, gjykata vëren se nga aktet e administruara në fashikullin e këtij procedimi penal rezultoi e provuar se, Prokuroria e Tiranës nuk ka kryer një hetim të plotë, të gjithanshëm e objektiv e të bazuar në ligjin material e procedural penal, për të verifikuar saktë pretendimet e kallëzuesit Xhelal P. e më pas, për të bërë kualifikimin ligjor të tyre.
Gjykata thotë se prokuroria nuk ka kryer disa veprime paraprake, të cilat do ta ndihmonin në sqarimin e faktit nëse kemi të bëjmë me të njëjtat vepra penale të kallëzuara në tri kallëzime të ndryshme. Për sqarimin e këtyre rrethanave do të ishte e nevojshme thirrja dhe pyetja e kallëzuesit për sqarimin dhe evidentimin e dokumentacionit, që është vënë në bazë të këtyre kallëzimeve; këqyrja, marrja dhe ballafaqimi i akteve objekt kallëzimi; thirrja dhe pyetja në cilësinë e personave që përmenden në kallëzim dhe të atyre që mund të tregojnë rrethana të dobishme për hetimin. “Në këto kushte, gjykata arrin në përfundimin se, hetimi nuk ka qenë i plotë, i gjithanshëm dhe objektiv. Gjithashtu, gjykata konstaton se, pasqyrimi në mënyrë kronologjike i kallëzimeve të depozituara nga kërkuesi Xhelal P. dhe të tjerë, në vendimin që do të marrë prokuroria në përfundim të hetimit, do t’u shërbente shumë palëve në proces, për të kuptuar dhe pranuar drejt përfundimet e arritura gjatë këtij hetimi”, thuhet në vendim, e cila vijon se “Gjykata e gjen me vend të theksojë që, përfundimi se vepra nuk ekziston arrihet vetëm pasi të jetë filluar procedimi penal dhe të jenë kryer të gjitha veprimet e nevojshme dhe të domosdoshme”.