Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka kërkuar që mbledhja e Byrosë së Kuvendit, ku do të trajtohet ankimimi i përjashtimit të deputetëve demokratë, të zhvillohet në praninë e mediave.
Megjithatë, maxhoranca ka rrëzuar këtë kërkesë, duke e mbajtur mbledhjen të mbyllur për publikun. Gjatë fjalës së tij, deputeti i PD-së, Flamur Noka, ka akuzuar qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama për përpjekjet për të shtypur opozitën dhe ka bërë akuza të ashpra ndaj qeverisë, duke e akuzuar për lidhje me “bandat kriminale” dhe individë si “Tropnilët” dhe “Ergys Agasin.”
Noka ka theksuar se, pavarësisht përpjekjeve për ta shuar zërin e opozitës, ai ndihet gjithnjë e më krenar për misionin e tij si deputet opozitar, për luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Ai ka paralajmëruar se PD do të qëndrojë e vendosur dhe do të reagojë fuqishëm, duke shtuar se “do të dridhen më 24 janar”, një referencë për protestën e planifikuar nga opozita.
