Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, reagoi pasditen e së premtes lidhur me mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin në Kuvend për çështjen e Belinda Ballukut.

Në postimin e tij në Facebook, Bardhi thotë se mbledhja u mbajt me dyer të mbyllura për të fshehur të vërtetën, për të fshehur pengimin e drejtësisë që, sipas tij, po bën kryeministri Edi Rama dhe për të prodhuar lajme të rreme rreth kësaj çështjeje. Ai theksoi se Partia Demokratike kërkoi që mbledhja të ishte e hapur për publikun, në mënyrë që çdo deputet të mbante përgjegjësi për qëndrimin e tij.

Bardhi bëri të ditur se PD mbështet plotësisht kërkesën e SPAK dhe kërkon miratimin sa më të shpejtë të autorizimit për arrestim, duke shtuar se deputetët dhe e pandehura duhet të kenë vetëm tri ditë kohë për t’u njohur me provat, të cilat u vunë në dispozicion vetëm gjatë kësaj mbledhjeje. Sipas tij, edhe Prokuroria e Posaçme ka kërkuar një afat prej tre deri në pesë ditësh.

Ai akuzoi kryeministrin Rama se ka vendosur ta zvarrisë çështjen, duke e mbyllur mbledhjen pa caktuar një datë të re, veprim që, sipas Bardhit, përbën pengim të drejtësisë. Bardhi shtoi se Prokuroria ka konfirmuar se Belinda Balluku po prish provat dhe po intimidon dëshmitarët, çka e bën të domosdoshëm dhe urgjent miratimin e autorizimit nga Kuvendi.

Në përfundim, Bardhi deklaroi se opozita do të kërkojë mbledhjen e Këshillit të Mandateve në fillim të javës së ardhshme për të shqyrtuar dhe miratuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme.

Reagimi i plotë i Gazment Bardhit:

Mbledhja me dyer të mbyllura e Këshillit të Mandateve për rastin “Balluku-Rama” u bë për të fshehur të vërtetën, për të fshehur pengimin e drejtësisë që po bën Edi Rama dhe për të prodhuar lajme të rreme.

Qëndrimi i PD në mbledhje ka qenë i qartë:

  1. Mbledhja duhet të jetë e hapur për publikun, ku secili deputet të jap llogari për qëndrimin e tij.
  2. Mbështetje e plotë për kërkesën e SPAK dhe miratimi sa më parë i autorizimit.
  3. Deputetët dhe e pandehura të kenë vetëm 3 ditë kohë për njohjen e provave, të cilat na u dhanë vetëm sot. 3-5 ditë kohë kërkoi edhe Prokuroria e Posaçme.
  4. Mbledhja e ardhshme e Këshillit të bëhet të hënën, datë 22 Dhjetor 2025, ku Këshilli të rekomandojë dhënien e autorizimit për arrestim.

Edi Rama vendosi që të zvarrisë çështjen, duke e mbyllur mbledhjen pa caktuar një datë të mbledhjes së ardhshme. Kjo përbën PENGIM TË DREJTËSISË. Prokuroria konfirmoi se e pandehura Belinda Balluku po prish provat, duke intimiduar dëshmitarët. Është çështje e ngutshme miratimi i autorizimit nga ana e Kuvendit.

Anëtarët e opozitës do të kërkojnë mbledhjen e Këshillit të Mandateve, në fillimin e javës së ardhshme, për të shqyrtuar dhe miratuar kërkesën për autorizim të Prokurorisë së Posaçme.