Dy ditë para mbledhjes së parë të Parlamentit të ri të dalë nga zgjedhjet e 11 Majit, Partia Demokratike ka thirrur mbledhjen e kryesisë e cila do të përcaktojë edhe qëndrimin politik që do të mbajë opozita në këtë legjislaturë.
Zyra e shtypit e PD-së bëri të ditur se mbledhja do të zhvillohet sot në orën 13:00 dhe do të hapet me një fjalë të liderit të opozitës, Sali Berisha. Kryesia e PD-së numëron 18 anëtarë të zgjedhur nga Këshilli Kombëtar i demokratëve dhe 15 anëtarë ex officio, për shkak të pozicioneve që kanë mbajtur në komisionet parlamentare gjatë legjislaturës së kaluar.
Burimet bëjnë të ditur se katër prej anëtarëve “ex officio” të cilët nuk u zgjodhën deputetë Helidon Bushati, Dhurata Çupi, Zheni Gjergji dhe Ferdinand Xhaferraj nuk janë thirrur në mbledhjen e sotme të kryesisë. Ndërkohë që vetëm njëri prej tyre, Ervin Salianji është njoftuar për takimin e mesditës.
Pak ditë më parë, me të njëjtin parim për deputetët që nuk kanë marrë mandat, nuk mund të jenë në strukturat drejtuese, sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka hoqi nga grupi i komunikimit të Whatsapp rreth 15 ish-deputetë demokratë të cilët ishin anëtarë të Këshillit Kombëtar prej mandatit që kishin fituar katër vjet më parë./ Top Channel