Petrit Malaj dhe Ervin Demo kanë bërë publike vendimet e miratuara në mbledhjen e fundit të qeverisë.

Gjatë deklaratës për mediat, ministri i Financave bëri të ditur se ekzekutivi ka vendosur rritjen e dëmshpërblimit për ish-të përndjekurit politikë, duke e cilësuar masën si një mbështetje shtesë për këtë kategori.

Ndërkohë, ministri Ervin Demo njoftoi zgjerimin e Paketës së Maleve me tre bashki të tjera, pjesë e programit që synon zhvillimin ekonomik dhe nxitjen e investimeve në zonat malore të vendit.

Sipas qeverisë, vendimet e marra synojnë si përmirësimin e mbështetjes sociale për ish-të përndjekurit, ashtu edhe fuqizimin e politikave për zhvillimin vendor dhe zonat rurale.

“Miratuam një ndryshim që lidhet me dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë. Ndryshimet e propozuara nga Ministria e Financave së pari konsistojnë në heqjen e dëmshpërblimit të kësteve, nga ana tjetër kemi marrë vendimin që për të gjitha ato pagesat që janë deri në 1 milionë lekë, do të bëhen pagesat me këstin e radhës. Nëpërmjet këtyre ndryshimeve, ministria parashikon që brenda 4-5 viteve të bëjmë shlyerjen e plotë të 6 mijë dosjeve, nga 10 mijë e 360 që janë në total.

Këto ndryshime kanë edhe disa avantazhe të tjera. Lidhet me procesimin e pagesave. Nëse sot kemi një procesim pagesash nga kësti në këst, me ndryshimet, koha e pagesave ndërmjet kësteve do të shkurtohet nga 2-2,5 vjet. Këto ndryshime do të sjellin nevojën për të shtuar fondin për dëmshpërblimin ndaj ish-të përndjekurve politikë, që për vitin 2016 është në masën 15 milionë euro”, tha ndër të tjera Malaj.

“Sapo kemi miratuar tre bashki të reja për Paketën e Maleve: Delvinë, Konispol dhe Pogradec. Në pjesën më të madhe të bashkive ka avancuar aplikimi nga qytetarët. Javët që do të kemi përpara besoj do të jenë bashkitë e fundit dhe brenda majit do të kemi përfunduar me të gjitha bashkitë”, u shpreh Demo.