Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas mbledhjes me drejtuesit politikë të Partisë Socialiste dhe ministrat, ku në fokus ishte organizimi dhe programi i sezonit të ri politik.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama bëri të ditur se puna do të vijojë me përcaktimin e kalendarit për “Praninë Besnike” në çdo territor, si dhe me mekanizma të rinj të bashkëpunimit mes qeverisë dhe deputetëve.

Sipas kryeministrit, synimi është përmirësimi i mëtejshëm i shërbimeve publike, si në nivel qendror ashtu edhe vendor.

Në mbledhje është diskutuar gjithashtu hartimi i ndryshimeve ligjore për nismën “Pasqyrë Albania”, ndërsa Rama ka njoftuar edhe për progresin në hartimin e “Shqipëria Sociale”.

Kësaj nisme, sipas tij, do t’i kushtohet një Konferencë e posaçme Kombëtare që pritet të zhvillohet në muajin nëntor.

“Vijuam sot punën intensive për detajimin e programit të sezonit të ri”, shkroi Rama, duke renditur prioritetet e reja të mazhorancës për muajt në vijim.