Nënkryetarja e Kuvendit, Klodiana Spahiu mori pjesë në Asamblenë Parlamentare të Mesdheut (PAM) që po mbahet në qytetin e Budvës në Malin e Zi, ku 350 delegatë, përfshirë Zëvendëskryeministra dhe Ministra të Qeverisë së Malit të Zi; Kryetarë Parlamentesh dhe Presidentë, si edhe Sekretarë të Përgjithshëm të parlamenteve anëtare të PAM-it janë bërë bashkë në këtë edicion jubilar.
Në fjalën e mbajtur nënkryetarja e Parlamentit, Klodiana Spahiu, njëherësh Zëvendëspresidente e Forumit Parlamentar të Grave të PAM-it, u ndal tek situata e fëmijëve në zonat e konflikteve të armatosura, ku kërkoi që “të forcohen mekanizmat kombëtarë dhe ndërkombëtarë të përgjegjësisë, për të garantuar që autorët të sillen para drejtësisë dhe të ndëshkohen si duhet.”.
“Fëmijët janë viktimat e para dhe më të pambrojtura të konflikteve të armatosura, duke bartur gjithë pasojat e armëpushimeve, sidomos përmes shkeljeve të rënda, përfshirë rekrutimin dhe përdorimin e tyre, vrasjet dhe plagosjet, përdhunimin dhe format e tjera të dhunës seksuale, rrëmbimin, sulmet ndaj shkollave dhe spitaleve, dhe mohim të qasjes në ndihmën humanitare, si dhe trafikimin e njeriut.”, tha nënkryetarja Spahiu që shtoi se “mungesa e vazhdueshme e zbatimit të mbrojtjes së fëmijët gjatë luftërave dhe konflikteve të armatosura është tronditëse”.
“Në Lindjen e Mesme, Ukrainë dhe Afrikën nën-Sahariane, mijëra fëmijë kanë vdekur, janë plagosur ose janë rrëmbyer gjatë viteve të fundit.”, nënvizoi ajo.
Sipas Spahiut, urgjenca për veprim dhe bashkëpunim ndërmjet Qeverive dhe Parlamenteve është thelbësore për të adresuar këtë krizë humanitare dhe të sigurisë.
“Është përgjegjësia jonë të bashkojmë përpjekjet për të rivendosur parimet universale të së drejtës humanitare ndërkombëtare dhe mbrojtjen themelore të të drejtave të fëmijëve, për të siguruar të ardhmen e brezave të rinj.”, u shpreh nënkryetarja e Kuvendit, Klodiana Spahiu që bëri thirrje për promovimin e një politike të përbashkët dhe të koordinuar, për të mbështetur me vendosmëri popullatat e prekura në lufta dhe që të sigurojë mbrojtjen e tyre humanitare.
Gjatë qëndrimit në Malin e Zi, Spahiu pati dhe një sërë takimesh me delegacione të ndryshme, ndërsa shoqërohej nga ambasadorja shqiptare Zhaklina Peto.
Mblidhet Asambleja Parlamentare e Mesdheut, Klodiana Spahiu prezanton raportin: Fëmijët viktimat e parë të luftës, të forcojmë mekanizmat ndërkombëtarë
