Kryeministri Edi Rama ka mbledhur mëngjesin e sotëm Kryesinë e Partisë Socialiste në selinë rozë.
Gjatë takimit, raportohet se është diskutuar mbi organizimin e zgjedhjeve parlamentare, që do të mbahen më 11 Maj 2025. Mësohet se në mbledhje u mor vendimi për caktimin e Blendi Klosit si drejtues politik i Qarkut Dibër, pas largimit të ministrit Blendi Gonxhja, i cili do të marrë në dorë organizmin e fushatës elektorale në qarkun Tiranë.
Gjithashtu, ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu është caktuar drejtues qarku në Vlorë, ku do të bashkëpunojë me Bledi Çuçin për organizmin e zgjedhjeve në strukturat e PS-së.
I gjithë fokusi i mbledhjes ku morën pjesë dhe kryebashkiakët me lidhje online ishte diaspora. Rama ka kërkuar vijimin e hartimit të një database për të gjithë emigrantët në funksion të zgjedhjeve të 2025.
Presidenti Bajram Begaj pak ditë më parë dekretoi datën 11 maj për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme, ndërsa partitë politike kanë nisur përgatitjet dhe organizimet e strukturave.