Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot një takim me gratë dhe vajzat që punojnë në administratën publike, me rastin e 8 Marsit.
Gjatë fjalës së tij, Rama ka ironizuar koalicionin e Sali Berishës me partitë opozitare të quajtur “Shqipëria Madhështore”. Ai u shpreh “gjëja më madhështore janë mustaqet e Kujtim Gjuzit”, ndërsa shtoi se në përbërje të listave dominojnë meshkujt.
Sipas Ramës, kjo është një qasje e ndryshme nga PS, e cila deputetët meshkuj do i vendosë në listat e hapura që ta provojnë se e meritojnë mandatit, ndërsa gratë në listat e sigurta të zgjedhjeve të 11 majit.
“Kur gratë janë të forta burrat janë të fortë dhe të urtë, kur gratë janë të dobëta, burrat janë të dobët, por shumë agresiv. Duke zgjeruar hapësirën për gratë, duke i dhënë më shumë vend në të gjitha nivelet e përfaqësimit ne të gjithë së bashku luftojmë për ti bërë burrat më të arsyeshëm dhe më të urtë, në kuptimin mençurisë.
Në vigjilje të një sfide të madhe që Shqipëria ka, jo PS, por në 11 Maj Shqipëria ka sfidën për të mos humbur asnjë minutë në një proces ku rrethanat tona të brendshme dhe ato të Evropës janë bërë 1 dhe për herë të parë mundësia për tu bërë pjesë e BE është reale dhe në duart tona.
Në këtë sfidë, kur ne po përgatitemi të hyjmë në fushën e betejës elektorale, që ndryshe nga të tjerët kanë grumbulluar të gjitha rraqet mashkullore të Shqipërisë dhe në emër të një madhështie që dhe Zoti, se gjëja më madhështore që shoh në atë anë janë mustaqet e Kujtim Gjuzit. Shikoni mustaqet e tij dhe aty keni kartëvizitën e madhështisë së asaj bauleje me rraqe. Ne do të kemi qasje komplet tjetër, ne burrat do t’i hedhim në fushë që të meritojnë mandate”- tha Rama.