Ceremonia


Beatrix i dorëzon fronin djalit të vet, princit Willem-Alexander, i pari mbret në një shekull


monarku i ri i hollandesMbretëresha 75-vjeçare e Holandës, Beatrix, firmosi dje aktin e abdikimit në favor të të birit, pasi ka qëndruar në fron për 33 vjet. Willem-Alexander u bë mbreti i parë i vendit që nga viti 1890.


Një turmë e madhe njerëzish të veshur me ngjyra kombëtare festuan në rrugët e Amsterdamit për të respektuar mbretëreshën popullore, e cila vijoi traditën holandeze të kalimit të përgjegjësisë te gjenerata e re.


Mbretëresha e pati njoftuar synimin e saj për t’u tërhequr në janar, duke thënë se djali i saj qe gati të mbretëronte dhe se qe koha që froni të mbahej nga një “gjeneratë e re”.


hollanda mbreteresha


Ajo kreu transferimin formal dje me një ceremoni të shkurtër në Pallatin Mbretëror, duke nënshkruar deklaratën që thotë: “Unë deklaroj se heq dorë nga monarkia e Mbretërisë së Holandës dhe se monarkia nga ky moment i transferohet djalit tim të madh dhe trashëgimtarit Willem-Alexander, Princi i Orange, në përputhje me statutet dhe me Kushtetutën e Mbretërisë së Holandës”.


Pati përshëndetje të mëdha nga turma jashtë, që e ndiqte ceremoninë në një ekran gjigant, ndërsa ajo, princi dhe bashkëshortja e princit Maxima – një bankiere investimesh 41 vjeç e lindur në Argjentinë, nënshkruan aktin.


Pas ceremonisë të tre dolën në një ballkon mbi shesh. Mbretëresha qe dukshëm e emocionuar. Ajo do të njihet tashmë si Princesha Beatrix. “Jam e lumtur dhe mirënjohëse t’ju prezantoj mbretin tuaj të ri Willem-Alexander”.


Mbreti falënderoi nënën e tij për “33 vite të gjalla dhe interesante”, duke thënë se ai, populli dhe holandezët në territoret e përtej detit qenë “shumë mirënjohës”.


Vajza e madhe e çiftit mbretëror 9-vjeçarja Catharina-Amalia, u bë Princesha Orange dhe tashmë është e para në linjën e fronit. Familjet mbretërore nga e gjithë Europa janë mbledhur në Holandë për të marrë pjesë në ceremoni.


Familja mbretërore e Holandës është shumë popullore në vendin e vet në krahasim me familjet mbretërore në vende të tjera. Maxima i ka dhënë një gjallëri të re fronit duke fituar zemrat e popullatës.


Mbretëresha Beatrix është monarkja e gjashtë e Shtëpisë Orange-Nasau, që e ka sunduar Holandën që nga fillimi i shekullit të 19. Sipas ligjit holandez, monarkia ka pak pushtet dhe vetëm përfaqësi politike. Mbreti Willem-Alexander do të jetë mbret jo vetëm i Holandës, por edhe i territoreve holandeze në Karaibe, Kurakao, Aruba dhe Saint Maarten.