Mbrojtësi ligjor i ish-kryebashkiakut të Tiranës, Alban Dokushi, i është drejtuar zyrtarisht Këshillit Bashkiak të Tiranës, duke kërkuar vënien në dispozicion të plotë të dokumentacionit që lidhet me vendimin për shkarkimin e Erion Veliajt nga posti i kryetarit të bashkisë.

Kërkesa vjen në kuadër të veprimeve ligjore të ndërmarra nga Veliaj për të kundërshtuar vendimin, i cili tashmë është ankimuar edhe në Gjykatën Kushtetuese.

“Në cilësinë e përfaqësuesit ligjor të zotit Erion Veliaj, duke u mbështetur në nenin 23 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe bazën ligjore të sipërcituar, kërkoj nga Këshilli Bashkiak i Tiranës të më vërë në dispozicion praktikën e plotë administrative të inicuar për procedurën e shkarkimit të Kryetarit të Bashkisë, zotit Erion Veliaj, duke përfshirë, por duke mos u kufizuar në:

  1. Aktin/aktet e nismës së paraqitur për shkarkim, argumentin ligjor dhe cdo dokumentacion tjeter ku mbështetet kjo kërkesë;
  2. Procesverbalin dhe materialet e komisionit të Cështjeve Ligjore dhe Drejtësisë Sociale
  3. Procesverbalet dhe materialet e mbledhjeve ku është shqyrtuar çështja
  4. Çdo relacion shpjegues apo dokument tjetër që është bërë pjesë e kësaj procedure
  5. Vendimin dhe relacionin shoqërues të tij, së bashku me konfirmimin e Prefektit të Qarkut Tiranë.

Kjo kërkesë bëhet në funksion të garantimit të së drejtës së mbrojtjes ligjore dhe respektimit të procedurave transparente, duke qenë se z. Veliaj është palë e drejtpërdrejtë e prekur nga ky proces.

Për sa më sipër, kërkojmë nga ana juaj që dokumentacioni i kërkuar të na vendoset në dispozicion në një kohë sa më shpejtë. Bashkëlidhur, prokura e përgjithshme e përfaqësimit dhe karta e avokatit”, thuhet në kërkesë.”