Grida Duman në ‘Breaking nga Dafina Hysa’ u pyet për situatën midis kryedemokratit Sali Berisha dhe kryeministrit Edi Rama në dosjen ‘Partizani’, ku ky i fundit është thirrur për të dëshmuar nga mbrojtja e kreut të PD.

Sipas Dumës rasti është thjeshtë procedural dhe s’ka të bëjë me politikën, megjithëse sipas saj Rama dhe Berisha nuk i japin shans njëri tjetrit për t’u përballur. Ajo theksoi se edhe nëse ata përballen, beteja e tyre nuk është për dosjen ‘Partizani’, por për ‘dosjen e shqiptarëve’.

“Nuk e di nëse Rama ka mundësi procedurale të mos ja japë Berishës këtë dhe të paraqesë avokatët. Pa diskutim që nuk ka asnjë lloj kompleksi që Rama apo Berisha të vendosen pranë apo përballë njëri-tjetrit. Çështja është që e kanë çuar deri aty situatën që nuk ja japin këtë shans njëri tjetrit. Nga ana tjetër mendoj që kjo është procedurale, për mua s’ka lidhje më politikën. Mendoj që është dosje që do të ishte mbyllur me kohë si gjykim.

Deklarata e Berishës për përballje ndoshta i jep atë ngjyrimin politik disi, por e thënë prej kohësh, e kërkuar prej kohësh dhe e mos ndodhur prej kohësh, sërish mendoj se është më shumë çështje titujsh. Rama dhe Berisha nuk e kanë betejën për Dosjen Partizani, e kanë për dosjen e shqiptarëve dhe ne nuk kemi absolutisht paqartësinë që të shkrihemi nëse këta na vendosin dy gladiatorë poshtë për show apo zbresin dhe vetë poshtë dhe bëjnë sikur dyluftojnë. Nuk është kjo lufta që presin shqiptarët”, u shpreh Grida Duma.