Një ekspert vlerëson se sistemi modern izraelit nuk ka efikasitetin e pretenduar


Izraeli raketatNjë ekspert i rëndësishëm amerikan mbi mbrojtjen antiraketore ngriti dyshime mbi efikasitetin e sistemit izraelit “Kupola e hekurt”, sistem që u përdor gjatë luftës së fundit në Gaza. Zyrtarët e Izraelit deklaruan se 84 për qind e objektivave të sistemit u rrëzuan me sukses gjatë konfliktit me Hamasin në Gaza.


Por profesor Theodore Postol i Institutit të Teknologjisë në Masaçusets, thotë se norma e suksesit duhet të ketë qenë në të vërtetë “shumë më e ulët se kaq”.


Suksesi i “Kupolës së hekurt” ishte një nga aspektet më të rëndësishme ushtarake të fushatës së shkurtër të Izraelit.


Gjatë këtij rigjallërimi të konfliktit, operacioni i ushtrisë së Izraelit u emërtua “Shtylla e mbrojtjes”. Aviacioni i Izraelit dhe artileria bombarduan Gazën, ndërsa palestinezët nisën rreth 1 400 raketa amatore drejt Izraelit.


Sistemi antiraketor “Kupola e hekurt” u dërgua në shërbim për të mbrojtur Izraelin nga raketat amatore. Ai është një sistem i realizuar nga kompania izraelite “Rafael”, por gjerësisht e financuar nga Shtetet e Bashkuara. Postol ka të dhënat që përgënjeshtrojnë pretendimet e ushtrisë së Izraelit mbi këtë sistem mbrojtjeje.


Në prag të luftës së Gjirit më 1991, pas lavdërimeve të tepruara për sistemin antiraketor amerikan “Patriot”, i cili u instalua për të mbrojtur Izraelin nga raketat “Skud” të hedhura nga Iraku, Postol demonstroi se “Patriot” doli huq në shumë raste.


Norma e suksesit të “Patriot” tregoi se ai mund të ketë qenë më e ulët se 10 për qind e ndoshta edhe zero. Kritikat e Postol për sistemin “Kupola e hekurt” qëndrojnë në natyrën e kokës shpërthyese që mbartet nga raketat e lëshuara për të rrëzuar raketat armike. Në thelb, ai beson se e vetmja mënyrë që “Kupola e hekurt” të rrëzojë një raketë armike është ta godasë atë drejtpërsëdrejti.


“Raketa mbrojtëse mund të fluturojë pak centimetra larg raketës ardhëse dhe kaq mjafton që ajo të dalë huq”, tha ai. Edhe në rast se raketa mbrojtëse godet në kokë raketën sulmuese, ajo duhet të ketë energji të mjaftueshme për ta shpërthyer atë.”


Postol thotë se ndonëse provat tregojnë që efikasiteti i “Kupolës së hekurt” në operacionin “Shtylla e mbrojtjes” tregojnë se norma e suksesit është më e ulët nga sa pretendohet, sërish pretendimi i Izraelit për saktësi të madhe mund të ketë shmangur një luftë të përgjakshme tokësore. Por ai paralajmëron se besimi që mund të ekzistojnë raketa të sakta për të goditur raketa sulmuese, është i rrezikshëm.


Ai thotë se vetë është një amerikan mbështetës i së drejtës së Izraelit për t’u vetëmbrojtur, por nuk ndihet rehat kur sheh se paratë amerikane përdoren për krijimin e sistemeve të armëve që “vështirë se funksionojnë”.