Me një aktivitet simbolik në maternitetin e Fierit, aty ku çdo ditë nis jeta, u mbyll këtë të premte fushata ndërgjegjësuese “Tetor Rozë”, muaji i dedikuar sensibilizimit kundër kancerit të gjirit.
Eventi mblodhi mjekë specialistë, paciente, përfaqësues të institucioneve dhe qytetarë, të cilët përcollën mesazhin se lufta ndaj kësaj sëmundjeje nuk duhet të kufizohet vetëm në një muaj, por të vazhdojë gjatë gjithë vitit.
Mjekja onkologe, Anisa Mone, theksoi rëndësinë e depistimit dhe kontrolleve periodike, duke shtuar se kanceri i gjirit po prek gjithnjë e më shumë edhe femrat e reja, si dhe meshkujt. Sipas saj, diagnostikimi i hershëm rrit ndjeshëm shanset për shërim.
Në fjalën e saj, deputetja e Qarkut Fier, Antoneta Dhima, u shpreh se mbyllja e fushatës në maternitet ka një simbolikë të veçantë, pasi aty lind shpresa. “Çdo ditë e vitit duhet të jetë rozë”, theksoi ajo, duke apeluar për më shumë kujdes dhe vetëkontroll.
Gjatë gjithë muajit, në qytetet e qarkut janë zhvilluar aktivitete sensibilizuese, këshillime dhe vizita falas për gratë, me qëllim nxitjen e ndërgjegjësimit dhe parandalimit. Organizatoret theksuan se informimi dhe kontrolli i rregullt mbeten arma kryesore për të shpëtuar jetë.
