Është mbyllur orari zyrtar i votimit në të gjithë Shqipërinë për zgjedhjet parlamentare, të cilat do të caktojnë 140 deputetët e rinj dhe qeverinë që do të drejtojë vendin në 4 vitet e ardhshme.

Ashtu siç është vepruar edhe në zgjedhjet e mëparshme, votimi do të vijojë vetëm me personat që janë në radhë.

Mbi 3.7 milionë qytetarë shqiptarë kishin të drejtë vote këtë të diel, dhe sipas rezultateve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve pjesëmarrja në votime deri në orën 18:00 i kaloi 41%. Risi e këtyre zgjedhjeve ishte vota e diasporës.

Qytetarët zgjodhën mes 3 koalicioneve dhe 8 subjekteve zgjedhore, teksa tashmë e gjithë vëmendja është drejtuar tek procesi i numërimit.

Në të gjithë vendin ishin të shpërndara 5225 qendra votimi, ndërsa puna për numërimin e votave do të zhvillohet në 93 KZAZ.

Procesi zgjedhor u zhvillua në tërësi i qetë, por incidentet e vogla nuk munguan në shumë zona, ku pati përplasje mes komisionerëve, disa raste fotografimi të votës apo dhe vonesa në nisjen e votimit.