Tregtarët e tregut të madh të Vlorës, ku shiten fruta-perime dhe konfeksioneve, kanë dalë në protestë përpara Bashkisë të hënën në mëngjes. Ata po protestojnë për mbylljen e tregut në qendër të qytetit, pasi hapësira është përfshirë si pjesë e një projekti për rehabilitimin e zonës në qendër të Vlorës, pranë Sahatit.
Situata është tensionuar pasi disa tregtarë janë përplasur me forcat e policisë pas vendimit për mbylljen e tregut dhe kanë tentuar të hapin me forcë portën hyrëse për t’u futur brenda dhe për të vijuar aktivitetin e tyre.
Në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie për të mbajtur situatën nën kontroll, ndërsa nuk kanë munguar debatet dhe shtyrjet mes tregtarëve dhe uniformave blu. Tregtarët shprehen se mbyllja e tregut po u sjell humbje ekonomike dhe kërkojnë zgjidhje të menjëhershme.
Ata thonë se nuk janë kundër rehabilitimit të tregut por tregojnë se nuk i është dhënë zgjidhje dhe duan një vend të përcaktuar për të vijuar aktivitetin e tyre. Tregojnë se i janë propozuar si vende ato më të largëtat ku nuk ka klientë dhe shprehen se do të vijojnë protestën.
Tregtarët kërkojnë gjithashtu një takim me kryetaren e Bashkisë, Bruna Mersini dhe kanë deklaruar se do të bllokojnë rrugën nëse ajo nuk do t’i presë.
