Pas përfundimit të protestës së opozitës në Tiranë, kreu i PartiSë Demokratike, Sali Berisha, mbajti një deklaratë jashtë selisë blu, ku falënderoi mbështetësit për pjesëmarrjen në tubim.

Berisha u shpreh mirënjohës ndaj protestuesve që, sipas tij, pavarësisht motit me shi, dolën në shesh për t’u përballur me qeverinë.

“Mirënjohje të pakufishme për të gjithë ju që në ditë shiu latë çdo gjë dhe si elitë e guximshme e kombit dolët në shesh për t’u përballur me regjimin. Ne jemi në këtë betejë me moton e hershme të shqiptarëve ‘ja të vdesim, ja të rrojmë për liri’. Beteja jonë është betejë për dinjitetin e çdo shqiptari”, deklaroi Berisha.

I pyetur nga gazetarët për protestën e radhës, kreu i demokratëve tha se ende nuk është vendosur një datë konkrete.

“Do ta shohim, nuk kam një përgjigje. Edhe nëse bëhet para zgjedhjeve në PD, kjo nuk ka lidhje”, u shpreh ai.